
Nga Kosova në Valencia: Ekspertiza e UBT-së në fokusin e Evropës shkencore
11/07/2025Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Visar Hoxha dhe Prof. Dr. Fisnik Laha, realizuan një vizitë zyrtare në kuadër të programit Erasmus+ në Universitetin Politeknik të Valencias (UPV) dhe në Instituto Universitario de Investigación – ICITECH.
Prof. Dr. Visar Hoxha zhvilloi sesione strategjike me studiues të UPV-së për thellimin e bashkëpunimit në kërkime eksperimentale mbi përdorimin e mbetjeve organike me aciditet të lartë, me qëllim rritjen e efikasitetit energjetik të tullave dhe materialeve ndërtimore, duke përdorur modelimin parashikues me inteligjencë artificiale.
Prof. Dr. Fisnik Laha zhvilloi diskutime shkencore mbi mbrojtjen kundër korrozionit të materialeve ndërtimore nga kloruret, një fushë kritike për ndërtimet në mjedise me përmbajtje të lartë kripërash dhe në zona bregdetare.
Gjatë vizitës, u realizuan gjithashtu takime me doktorantë nga Universiteti i Pekinit, i renditur i 14-ti në botë sipas renditjes prestigjioze QS World University Rankings, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e kërkimit shkencor.
Një nder dhe kënaqësi e veçantë për profesorët e UBT-së ishte të dëgjonin nga stafi akademik i Universitetit Politeknik të Valencias vlerësimet maksimale për dy studentët e UBT-së, Diellza Vishi dhe Leart Shabani, të cilët kanë shënuar rezultate të shkëlqyera gjatë mobilitetit të tyre.
UBT po thellon partneritetet akademike dhe kërkimore me universitetet më të njohura në botë, në funksion të zhvillimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë dhe më gjerë.