UBT merr pjesë në konferencën e organizuar nga Binance

13/06/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte pjesë e panelit të rëndësishëm “Kosovo – The Heart of Crypto Communities in the Balkans”, në kuadër të konferencës së organizuar nga Binance, platforma më e madhe qendrore për shkëmbim të kriptomonedhave në botë, me mbi 275 milionë përdorues aktivë globalisht.

Konferenca mblodhi liderë të industrisë, përfaqësues të institucioneve dhe anëtarë të komunitetit kripto nga Kosova dhe rajoni i Ballkanit, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në fushën e teknologjive blockchain, mundësitë që ofron Binance për përdoruesit dhe të ardhmen e ekosistemit kripto në Evropën Juglindore.

Në panelin ku mori pjesë Rektori Hajrizi, së bashku me Shkëlqim Dushi (Shine), Memli Krasniqi dhe Sandro Slukan, u diskutua gjerësisht për pozicionin gjithnjë e më të rëndësishëm që po merr Kosova në skenën ndërkombëtare të kriptomonedhave, si dhe për ndikimin që komunitetet lokale kanë në nxitjen e inovacionit digjital dhe zhvillimit ekonomik.

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rolin e edukimit dhe institucioneve akademike në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme digjitale. Ai vuri në pah përkushtimin e UBT-së për të përfshirë teknologjitë më të avancuara, përfshirë blockchain dhe kriptovalutat, në proceset mësimore dhe kërkimore, me qëllim fuqizimin e brezit të ri në epokën digjitale.

Tematika e përgjithshme e konferencës u përqendrua rreth veçorive inovative të Binance dhe rritjes së komunitetit të kriptovalutave në Kosovë dhe Ballkan, duke e shndërruar këtë event në një pikë takimi të rëndësishme për ide, vizione dhe bashkëpunime të reja në sektorin e teknologjisë financiare.