Inteligjenca Artificiale në fokus: UBT sjell ekspertizën në Qendrën DIG-4K

06/05/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me Prof. Vehbi Sofiun, Drejtor i Kampusit të UBT-së në Prizren, dhe Prof. Besnik Skenderin, Drejtor i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të lansimit të Qendrës për Ekselencë në Inovacion Digjital “Digital Innovation Gateway for Kosovo – DIG-4K”.

Kjo qendër, e para e këtij lloji në Kosovë, u lansua në kuadër të programit Evropa Digjitale, të cilin Kosova e nënshkroi me Bashkimin Evropian në vitin 2023. DIG-4K tashmë është bërë pjesë e Rrjetit të Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital (EDIH) dhe synon të nxisë zhvillimin digjital në sektorë kyç të ekonomisë dhe shoqërisë.

DIG-4K do të ofrojë mbështetje të specializuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), si dhe për organizatat publike, përmes qasjes në teknologji të avancuara si cloud computing, siguri kibernetike, inteligjencë artificiale, dhe mjete të tjera digjitale të nivelit të lartë. Ajo gjithashtu do të mbulojë fusha strategjike si e-commerce, fintech, shëndetësia, arsimi, dhe bujqësia.

UBT, si partner në këtë qendër të rëndësishme, do të japë kontribut të drejtpërdrejtë përmes ekspertizës së saj në inteligjencën artificiale, duke ofruar trajnime të avancuara, mentorim profesional dhe ndihmë në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për bizneset dhe institucionet publike që aplikojnë për mbështetje në kuadër të DIG-4K.

Kjo pjesëmarrje e UBT-së konfirmon edhe njëherë rolin e saj udhëheqës në avancimin teknologjik dhe edukimin e gjeneratave të reja me njohuritë më të fundit në fushat më kërkuese të kohës.