
UBT dhe Technical University of Sofia bashkojnë forcat për inovacionin në energjinë inteligjente
03/03/2025Një delegacion nga UBT, i përbërë nga Besnik Qehaja, Lavdim Menxhiqi, Blerim Zylfiu, Behar Haxhismajli dhe Elton Boshnjaku, realizoi një takim të rëndësishëm akademik në Technical University of Sofia, Bullgari, ku u trajtuan tema të avancuara mbi zhvillimin dhe optimizimin e microgrids.
Takimi u zhvillua në frymën e shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave mes UBT-së dhe grupit të hulumtimeve shkencore të Technical University of Sofia, të udhëhequr nga profesorët e njohur Galia Marinova dhe Vassil Guliashki. Në këtë kontekst, dy projekte inovative u prezantuan nga ekipi i UBT-së, të cilat synojnë të sjellin përparime të mëdha në menaxhimin dhe sigurinë e rrjeteve të energjisë:
Optimizimi i microgrid-it – Ky projekt përfshin përdorimin e një qasjeje hibride, duke kombinuar teknikat heuristike dhe algoritmet evolucionare, me një integrim të avancuar të inteligjencës artificiale (AI). Kjo metodologji synon të rrisë stabilitetin dhe efikasitetin energjetik, duke minimizuar disbalancën midis prodhimit dhe konsumit të energjisë, një sfidë kyçe në sistemet moderne të energjisë.
Mbrojtja e microgrid-it – Fokusohet në sigurinë kibernetike, duke përdorur machine learning për të detektuar sulmet kibernetike në kohë reale. Ky projekt synon të forcojë mbrojtjen e rrjeteve të shpërndara të energjisë, duke garantuar një funksionim të qëndrueshëm dhe të mbrojtur nga kërcënimet e jashtme.
Përveç prezantimit të projekteve, ky takim shënoi një moment kyç në thellimin e bashkëpunimit akademik mes UBT-së dhe Technical University of Sofia, duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime akademike dhe mobilitet ndërkombëtar për studentët dhe profesorët.