Zëvendëskryeministri Pacolli studentëve të UBT-së u shpjegoi idenë e zonave të lira ekonomike

07/04/2014

Prishtinë 4 prill 2014-  Krijimi i zonave ekonomike ka arsyeshmëri ekonomike, pasi ato mund të ndikojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies së banorëve tha zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli para studentëve të UBT-së. Kjo ide e iniciuar që nga viti 2007 dhe e paraqitur në programin politik të AKR-së. Duke folur për Mitrovicën, Pacolli tha se dialogu është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemit të veriut, por qenësore sipas tij është përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve.

 

 “Ajo që do të jetë kruciale për rregullimin e problemit politik të veriut është vetëm mirëqenia ekonomike. Nëse unë ndërtoj një fabrikë dhe hapi rreth 1 mijë vende pune, ju do të shihni se ato barrikada që janë do të eliminohen vetvetiu dhe njerëzit do të qohen në mëngjes dhe do të vijnë të punojnë dhe anasjelltas”, tha Pacolli. 

 

z. Pacolli shfaqi besim se ideja e tij është në dobi të bashkimit të Mitrovicës, dhe theksoi se nëse qytetarët e mbështesin, këtë ide do ta realizojë me bashkëpunëtorët e tij.

 

 “Dhe do të shihni se nuk ka nevojë asnjë plumb me e harxhu, nuk ka nevojë asnjë viktimë me e humbë, nuk ka nevojë me u nervozu dhe vetvetiu ky problem do të jetë i zgjidhur”, theksoi ai.

 

Ndërkohë në Gjakovë sipas tij ekziston infrastruktura, respektivisht fabrikat që janë të bllokuara, dhe që mund të përdoren. 

 

Përparësi tjetër është senë këto zona ekonomike mund të vijnë investitorë të shumtë, të cilët do të aktivizojnë fuqinë punëtore që sipas tij është proaktive dhe njëkohësisht do të bëhet ndërkombëtarizimi i Kosovës pasi shumë produkte do të prodhohen në Kosovë dhe do të eksportohen jashtë vendit.

 

Në këtë ligjëratë Pacolli foli edhe për krijimin e tregut të përbashkët me Shqipërinë por edhe çështje tjera.