Xhejms Berisha vazhdon lobimin për njohjen e Kosovës

31/01/2011

Prishtinë, 29 janar 2011- Piloti shqiptaro-amerikan Xhejms Berisha gjatë lobimit të tij për njohjen e Kosovës, deri më tash ka lobuar në 26 vende afrikane, ndërsa do të vazhdojë rrugëtimin edhe në 30 shtete tjera, duke shpërndarë mesazhin e paqes, miqësisë dhe kërkesës për njohje sa më të shpejtë të vendit tonë. Kështu kanë thënë në një konferencë për media  përfaqësues të Flying for Kosovo, që u mbajt  në hollin e objektit  të UBT, të cilët kanë shpalosur ecurinë e lobimit të pilotit shqiptaro-amerikan nëpër vendet e kontinentit afrikan.

 

Arbion Idrizi ka theksuar se në këtë kontinent, Xhejms Berisha prezanton shtetin e Kosovës dhe falë lobimit të tij qindra miliona afrikanë tashmë janë të njohur më për së afërmi me çështjen e Kosovës.
Idrizi: Xhejms po përcjell thirrjet e popullit të Kosovës për njohje
“Ai në këtë udhëtim po takon popullin e Afrikës zyrtarisht përmes medieve, apo edhe direkt për të shpërndarë mesazhin e paqes dhe miqësisë, dhe për të përcjellë thirrjet e popullit të Kosovës për njohje sa më të shpejtë”, ka thënë Idrizi.

 

Sipas Idrizit, përmes rrugëtimit të tij të gjatë Xhejms Berisha synon të inkurajojë vendet afrikane për të pranuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
Përfaqësuesja e Flying for Kosovo, Lumnie Gashi, ka thënë se piloti Xhejms Berisha së shpejti do të mbushë tre muaj qëkur është nisur në misionin e tij në Afrikë dhe deri më tani ka lobuar në njëzet e gjashtë shtete.

 

Gashi: Xhejms do të vizitojë edhe 30 shtete
“Sot është në shtetin e 26, Nigeri. Përveç këtyre 26 shtete edhe 30 shtete janë gjithsejtë që përfundon kontinenti i Afrikës”, ka thënë Gashi. Sipas saj, shtetet që i kanë premtuar Xhejms Berishës për njohjen e Kosovës janë Togo, Republika e Afrikës Qendrore, Kameruni dhe Guineja. Gjatë rrugëtimit, piloti shqiptaro-amerikan, përveç problemeve të fluturimit, mos lejimit të hyrjes në disa shtete, ka problem edhe mungesën e fondeve, që sipas Gashit do të jenë shkak që misioni i tij të zgjasë edhe katër ose pesë muaj.

Gashi: Xhejms po dërgon në 42 vende letrën e MPJ-së për njohjen e Kosovës
“Institucionet e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë Xhejmsit 42 letra ku ai në secilin shtet lë letrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të Vlora Çitakut, ku kërkohet njohja e shtetit të Kosovës, por financiarisht jo deri tash edhe pse janë të njoftuar qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme me të gjitha problemet që është duke u ballafaquar Xhejmsi, por deri tash nuk kemi pas përkrahje”, ka thënë Gashi.

 

Përfaqësuesit e Flying for Kosovo, po ashtu, kanë njoftuar se gjatë këtij udhëtimi përveç popujve të ndryshëm Xhejms Berisha ka zhvilluar edhe takime me përfaqësues të ndryshëm të këtyre shteteve.
Ndryshe, aeroplani i Xhejms Berishës “Cesna-172”, me flamurin e shtetit të Kosovës dhe me kërkesën e vendosur për anash në gjuhën angleze dhe spanjolle “Ju lutemi njiheni pavarësinë e Kosovës”, është ngritur më 31 tetor 2010 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

 

Tridhjetë e tetëvjeçari nga Brestovci i komunës së Rahovecit, i cili prej vitit 1995 jeton në SHBA, para nisjes pat bërë të ditur se lobimi, i cili do të zgjasë katër deri në pesë muaj, do të jetë i njëjtë sikurse ai që ka bërë në Amerikën Latine. Deri më tash Kosova është njohur nga 74 vende të botës. Njohja e fundit ka ardhur pikërisht nga një vend afrikan.