Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

22/10/2026

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.