Vlerat e UBT-së prezentohen në Salzburg të Austrisë

23/09/2010

Prishtinë, shtator 2010 – Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Prof. Lulzim Beqiri kanë qëndruar në Salzburg të Austrisë për gjashtë ditë me radhë, në një vizitë studimore, si pjesë e projektit TEMPUS.

Qëllimi i vizitës ka qenë njohja me strukturën organizative të Universitetit të Salzburgut në aspektin akademik dhe administrativ, me fokus të veçantë në Zyrën për sigurimin e cilësisë.

“Gjatë kësaj vizite UBT pati rastin të përfitojë nga shkëmbimi i përvojave me Universitetin e Salzburgut dhe gjithashtu të prezantojë vlerat e UBT-së, tha Lulzim Beqiri, profesor në UBT.

Gjithashtu, vizitat janë përcjellë me takime dhe prezantime nga zyrtarët më të lartë të Universitetit të Salzburgut.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Kosova, që përveç UBT përbëhej edhe nga disa përfaqësues tjerë të BPrAL, ka pasur mundësinë të vizitojë pjesën më të madhe të fakulteteve dhe institucioneve në kuadër të Universitetit në fjalë, duke përfshirë edhe bibliotekën universitare në të cilën gjinden ekzemplar të librave nga shekulli VIII.

Universiteti i Salzburgut është themeluar në vitin 1622 dhe financohet nga fondet publike, por ka fonde edhe nga projekte të ndryshme, si p.sh., nga hulumtimet dhe projektet nga EU.

Momentalisht Universiteti i Salzburgut ka rreth 17.000 studentë, në katër fakultete, ndërkaq nga Kosova në këtë universitet studiojnë tre studentë.