Universiteti i Salzburgut dhe UBT bashkë në hartimin e kurrikulit arsimor në projektin “EuroPS”

27/09/2016

Një ekipi i Universitetit të Salzburgut, i kryesuar nga  koordinatori i projektit “EuroPS”, Franz Kok, gjatë dy ditëve të qëndrimit në Kosovë, është takuar me rektorin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizin dhe me përfaqësues të tjerë. Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi i përgatitjes së Kurrikulit për Programin për nivelin Master të Shkencave politike dhe integrimeve evropiane, që hyn në kuadër të Programit të BE-së ERASMUS +.

 

Gjatë dy ditëve, Kok me bashkëpunëtorë, ka elaboruar realizimin e projektit, të cilin e ka vlerësuar të rëndësishëm për integrime evropiane. Ka sqaruar edhe modulet përbërëse të projektit. Në këtë kontekst, Kok ka treguar se si studentët e universiteteve partnere nga Evropa Perëndimore dhe Ballkani Perëndimor, mund të fillojnë semestrin e pare në një nga universitetet partnere, kurse semestrin e radhës në një universitet tjetër.

 

Programi Master i Shkencave politike dhe integrimeve evropiane, vitin e ardhshëm, do të jetë në proces të akreditimit nga Agjencia e Austrisë për Akreditim dhe Sigurim të Cilësisë dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim.

 

Programi ofron mundësi shumë të mira, në një fushë mjaft të re dhe të rëndësishme të studimeve evropiane dhe politikave ndërkombëtare, aq më tepër në kohën kur shoqëria kosovare po bën përpjekje intensive për të përgatitur vendin për integrime evropiane në të gjitha sferat.

 

Programi, që po ofrohet për herë të parë në Kosovë, sipas drejtorit të Institutit për Zhvillim të Arsmit dhe Çështjeve Akademike në UBT, Bujar Gallopenit, mundëson kombinim të studimeve në disa universitete evropiane, si në Austri, Itali, në institucione të tjera të arsimit të lartë në Kosovë e rajon etj. Gjithashtu, Programi parasheh edhe bursa studimi për studentët që i plotësojnë kushtet. Programi gjithashtu parasheh shumë aktivitete të përbashkëta të universiteteve partnere, me theks të veçantë, organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore.

 

Erasmus + është Programi i BE-së në fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit për periudhën 2014-2021. Programi bazohet në programet e mëparshme të BE-së (Tempus, Erasmus Mundus, Alfa, Edulink etj.) dhe ofron mundësi për mobilitetin e studentëve dhe personelit, si dhe për projektet e ndërtimit të kapaciteteve.

 

Programi ka për qëllim të mbështesë dhe të intensifikojë shkëmbimin e rregullt të praktikës akademike, si dhe krijimin e lidhjes së qëndrueshme  mes të partnerëve nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor. Partnerë të projektit EuroPS, ndërkaq, janë: Universiteti i Salzburgut (PLUS);  Universiteti i Pavias; Universiteti i Lubjanës, Instituti për Kërkime Sociologjike, Politike dhe Juridike, Shkup; Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës; UBT e FAMA nga Kosova, si dhe  Universiteti i Sarajevës dhe Shkolla e Shkencës Teknologjike e Sarajevës.