UNDP dhe UNODC me aktivitet të përbashkët në UBT për sfidat globale

05/05/2026

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT në Lipjan, është zhvilluar punëtoria “Climate Change and Corruption”, e organizuar nga UNDP dhe UNODC. Punëtoria do të vazhdojë edhe nesër.

Në hapje të aktivitetit morën pjesë përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë Danilo Rizzi, Përfaqësues Rajonal për Evropën Juglindore i UNODC-së, Nuno Queirós, përfaqësues rezident i UNDP-së, drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit Yll Buleshkaj, si dhe Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi. Në fjalët e tyre, ata theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave globale përmes edukimit dhe përfshirjes aktive të të rinjve.

Gjatë fjalës së tij, Rektori Hajrizi nënvizoi rolin kyç të universiteteve në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe me integritet, duke fuqizuar studentët me njohuri dhe aftësi për t’u përballur me sfida si ndryshimet klimatike dhe korrupsioni.

Fokusi i punëtorisë ishte në metodologjinë “Climate Fresk”, e bazuar në të dhënat shkencore të IPCC, e cila ndihmon pjesëmarrësit të kuptojnë marrëdhëniet shkak-pasojë të ndryshimeve klimatike përmes një procesi bashkëpunues me 42 karta.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Politike u angazhuan aktivisht në ndërtimin e “Climate Fresk”, duke analizuar faktorët që ndikojnë në krizën klimatike. Përmes sesioneve kreative dhe reflektuese, ata zhvilluan mendimin kritik dhe rritën ndërgjegjësimin mbi ndikimet sociale dhe emocionale të kësaj krize globale.

Aktivitetet u përqendruan në diskutime të orientuara drejt zgjidhjeve, ku studentët punuan në grupe për të propozuar veprime konkrete për adresimin e sfidave klimatike.