UBT vlerëson lart betejën e personelit shëndetësor kundër Covid 19

20/03/2020

Shumë mjekë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë në këtë kohë janë mobilizuar, duke luftuar pa u lodhur për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Për këtë, ata meritojnë respektin dhe falënderimet e pafunda. Kjo është një betejë e profesionalizmit dhe përkushtimit të pafund të tyre.

 

Ndaj, UBT falënderon të gjithë personelin shëndetësor që po punojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,  në Institutin e Shëndetit Publik të Kosovës, si dhe stafin akademik të Fakulteteve të Shkencave Mjekësore të UBT-së,  të cilët, me kolegët e tyre janë në vijën e parë të frontit, duke ndihmuar pacientët që ta luftojnë virusin Covid 19.

 

Rektori i UBT-së,  prof.dr. Edmond Hajrizi me mirënjohje vlerëson kontributin e të gjithë mjekëve të cilët po tregohen heronj të vërtetë në këtë kohë.

 

“Në këto ditë të vështira, është përgjegjësia jonë e përbashkët si shoqëri të mbështesim njëri-tjetrin dhe përpjekjet e institucioneve për të parandaluar përhapjen e Coronavirus-it (Covid-19). Prandaj, përmes këtij mesazhi në emër të të gjithëve në UBT, duam të falënderojmë stafin e UBT-së që po punojnë në QKUK,  Institutin e Shëndetit Publik, si dhe në klinika e qendra mjekësore për të ndihmuar trajtimin e njerëzve, si dhe në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Ata po punojnë në kushte dhe rrethana të vështira, kështu që ne jemi mirënjohës ndaj tyre. Dhe u themi fuqishëm: Ne jemi të gjithë me ju!”, thuhet në falënderimin e rektorit Hajrizi.