UBT vendi ideal për zhvillimin profesional të vajzave dhe grave në shkencë

11/02/2023

Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar të njëjtat për përkushtimin, angazhimin dhe vendosmërinë për të arritur qëllimet e tyre në zhvillimin e shkencës në Kosovë dhe më gjerë.

“Si UBT, angazhimin për fuqizimin e grave e kemi treguar dhe dëshmuar gjatë gjithë kohës, duke pasur kështu shifra shumë të mira të barazisë gjinore në punë. Çfarë na motivon dhe na bën krenar në të njëjtën kohë, është fakti se numri i studenteve që zgjedhin për të studiuar në sektorin e ICT-së është në rritje të vazhdueshme. UBT është institucioni që i mbështetë vajzat të cilat zgjedhin për të studiuar në këtë sektor, me bursa studimi e me mundësi të tjera që ua lehtësojnë studimet”, ka thënë rektori Hajrizi.

UBT përmes programeve të shumta, me theks të veçantë ato të teknologjisë ka arritur të ngjallë interesimin dhe t’i inkurajojë vajzat dhe gratë të inkuadrohen dhe të studiojnë në fushat inxhinierisë kompjuterike, sistemeve të informacionit e menaxhimit të mekatronikës.

UBT për 20 vite punë ka promovuar vazhdimisht vlerat që vajzat dhe gratë kanë në shoqëri edhe në profesione ku zakonisht numri i tyre është i vogël. Për këtë, me kalimin e viteve në UBT numri i studenteve që kanë studiuar dhe janë duke i vazhduar studimet në sektorin e ICT-së është rritur dukshëm, duke shkuar numri i përgjithshëm i tyre në mbi 2500 studente femra që kanë zgjedhur për të vazhduar rrugëtimin e tyre akademik në këtë fushë.

Në saje të zhvillimit të ekosistemit të UBT-së dhe rritjes së partneriteteve të reja, njëherit duke u angazhuar edhe për të krijuar hapësira të reja për gratë dhe vajzat, UBT së bashku me UN Women për Kosovë ka nënshkruar deklaratën e përkushtimit për Parimet e Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Grave, përmes së cilës dëshmohet angazhimi dhe promovimi i barazisë gjinore në nivele akademike, menaxheriale dhe administrative.