UBT uron qytetarët për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

bool(false) 16/02/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në emrin e tij personal dhe të institucionit që udhëheq ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e festës së Pavarësisë së Kosovës.

 

Rektori Hajrizi në urimin e tij ka thënë se Kosova meriton një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare, duke përçuar vlerat që shteti ynë ka në fusha të ndryshme të jetës, duke filluar nga fusha e arsimit.

 

Në vazhdim gjeni urimin e plotë të rektorit Hajrizi:

 

17 shkurti është një prej datave e ngjarjeve më të rëndësishme për Kosovën dhe popullin shqiptar. Në këtë ditë, katërmbëdhjetë vite më parë, u kurorëzuan suksesshëm përpjekjet e gjata, të pareshtura e plot sakrificë të popullit tonë për liri e pavarësi.

 

Gjatë këtyre viteve Kosova si shtet ka shënuar të arritura të mëdha, në secilën fushë, të cilat na bëjnë sot më shumë se kurrë krenar secilin prej nesh. Kosova sot po prezantohet më fuqishëm se kurrë në arenën ndërkombëtare, duke u rreshtuar ballëlartë përkrah shteteve perëndimore, jo si një vend që prodhon kriza e jo stabilitet, po si një shtet i ri që konkurron me vlera të larta në kulturë, arsim, sport e çdo fushë tjetër, si vend që gjeneron vlera të reja.

 

Si rektor i UBT-së jam jashtëzakonisht i lumtur edhe për arritjet tona në arsim gjatë kësaj periudhe, ku ne kemi arritur që ta ngrisim lartë flamurin e Kosovës në përballje me universitetet më të njohura ndërkombëtare.

 

Një prej angazhimeve tona gjatë kësaj periudhe ka qenë ndërkombëtarizimi i Kosovës në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. Si UBT gjatë këtyre viteve e kemi anëtarësuar Kosovën në shumë mekanizma ndërkombëtarë, kemi marrë pjesë për herë të parë si vend në shumë gara ndërkombëtare të dijes e teknologjisë ku kemi arritur rezultate mbresëlënëse duke lënë prapa universitete të njohura ndërkombëtare, me histori qindravjeçare.

 

Andaj, më lejoni që në këtë dite krenarie kombëtare, feste e gëzimi, në emrin tim, të studentëve, profesorëve dhe stafit të UBT-së t’iu uroj 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

 

Prof.dr. Edmond Hajrizi,

 

President dhe rektor i UBT-së