UBT mirëpret partnerët ndërkombëtarë në ngjarjen përmbyllëse të projektit SHAPE
02/10/2026UBT ka mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet akademike pjesëmarrëse në ngjarjen përmbyllëse të projektit SHAPE – Sport, Health, and the People: A Western Balkan University Network, projekt i financuar përmes programit Erasmus+.

Ngjarja përmbyllëse, bëri bashkë përfaqësues të universiteteve partnere nga Kosova, rajoni dhe Evropa, me qëllim prezantimin e rezultateve të projektit, ndikimit të tij dhe mundësive për vazhdimësinë e bashkëpunimit akademik dhe institucional.
Në hapjen zyrtare të ngjarjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u uroi mirëseardhjen partnerëve në UBT, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe programeve të reja akademike në fushën e sportit dhe shëndetit.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes në UBT, Prof. Dr. Agron Thaçi, i cili kontribuoi në diskutimet dhe prezantimet lidhur me zhvillimet akademike dhe profesionale në fushën e sportit dhe shëndetit.
Përgjatë dy ditëve, partnerët po prezantojnë punën e realizuar në kuadër të shtatë pakove të punës së projektit, duke përfshirë bashkëpunimin rajonal përmes sportit, zhvillimin e ekosistemit digjital SHAPE, analizën e nevojave të tregut të punës dhe arsimit, seminaret tematike, si dhe Advanced Study Programme me 60 ECTS.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit i kushtohet edhe përvojës së studentëve, mobilitetit ndërkombëtar, mësimit online dhe aktiviteteve praktike, ndërsa partnerët po diskutojnë edhe për qëndrueshmërinë e rezultateve të projektit, vazhdimin e rrjetit universitar të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe mundësi të reja për iniciativa të përbashkëta.
Përmes projektit SHAPE, UBT vazhdon të forcojë rolin në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke kontribuar në zhvillimin e programeve moderne akademike dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.







