UBT uron qytetarët për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

17/02/2021
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi në emër të stafit dhe institucionit që ai drejton, të gjithë qytetarëve të Kosovës u ka uruar 13-vjetorin e pavarësisë.
Rektori Hajrizi, në urimin e tij për 13-vjetorin e pavarësisë ka theksuar rëndësinë që ka kjo ditë për popullin e Kosovës si dhe ka kujtuar sakrificat për liri e pavarësi.
“Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë e veçantë, ku përmbledhen të gjitha sakrificat e secilit prej nesh për shtetndërtimin e Kosovës, që prej fitores në luftë e deri tek fitorja në paqe”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.
Përfaqësimin e denjë dhe ngritjen sa më të madhe të vlerave të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, rektori Hajrizi e ka cilësuar si një ndër pikat kyçe që vendi ynë duhet t’i ketë.
“Është dëshmuar shumë herë se Kosova ka të rinj entuziastë që mund ta përfaqësojnë denjësisht shtetin tonë në arenën ndërkombëtare, ndaj ngritja e vlerave të vendit tonë duhet të jetë synimi kryesor i yni për shtyrjen e proceseve përpara”, ka thënë rektori Hajrizi.