UBT uron qytetarët për ngjarjen historike të formimit të Ushtrisë së Kosovës

14/12/2018

Në emër të të gjithë studentëve dhe stafit akademik, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, ka uruar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

 

Ai tha se pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, formimi i Ushtrisë është akti më i rëndësishëm që i jep vulën e përjetshme shtetësisë së vendit tonë.

“Kjo Ushtri është mishërim i dashurisë së madhe, forcës së pashteruar, idealeve të larta dhe sakrificës së pashoqë, të atyre që atdheun e deshën më shumë se veten dhe që Kosovën e lanë si trashëgiminë dhe pasurinë më të shtrenjtë për gjeneratat e ardhshme”, u shpreh Hajrizi.

 

Në këtë proces, UBT ka dhënë kontribut me të gjitha kapacitetet e veta prej institucioni të arsimit të lartë, për të rritur performancën dhe zhvillimin e pjesëtarëve të këtij institucioni.

“UBT ka qenë institucioni i parë i arsimit të lartë që ka filluar bashkë me TMK-në punën e Akademisë Ushtarake. Institucioni ynë ka ofruar edhe studime dhe trajnime falas për të gjithë anëtarët e Akademisë së TMK-së, ndërkaq vazhdon të ofrojë bursa studimi edhe sot”, tregoi rektori Hajrizi.

 

UBT ishte vendi ku në mars të vitit 2017, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  dha lajmin  për inicimin e projektligjit për themelimin e ushtrisë së Kosovës, përkatësisht transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga misioni civil në atë ushtarak.

 

Në këtë ditë madhështore për popullin tonë, ai uron dhe këshillon studentët e UBT-së dhe të gjitha gjeneratat e reja, që të bëhen mjaftueshëm të denjë për t’i shërbyer atdheut me të njëjtën forcë e dashuri, siç FSK, tani Ushtria e Kosovës, i ka shërbyer vendit.