UBT uron marrëveshjen e re të kyçjes KOSTT/ENTSO-E

23/04/2020

Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E), kanë votuar pozitivisht marrëveshjen e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës (KOSTT), marrëveshje të cilën e ka uruar UBT dhe Fakulteti i Inxhierisë së Energjisë, duke thënë se kjo është një arritje e madhe për shtetin e Kosovës.

 

Për suksesin e arritur, rektori Hajrizi përgëzoi grupin punues dhe stafin e KOSST-it, ku tha se ky operator është model në zhvillimin dhe funksionimin e saj.Tutje, ai falënderoi edhe gjithë operatorët që e votuan këtë marrëveshje, teksa u shpreh i lumtur që edhe KOSST-I tashmë ka të drejta të barabarta me operatorë tjerë nga mbarë Evropa.

 

“Suksesi i arritur në votimin e marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, tregon një sukses të madh të pavarësisë energjetike të Kosovës. KOSTT është një prej kompanive publike model me një praktike shumë të mirë në zhvillimin dhe menaxhimin koorporativ, me një lidership dhe staf shumë të përgatitur. Duke u bazuar në praktikat më të mira të menaxhimit dhe standardeve ndërkombëtare, natyrisht që institucioni krijon rezultate të mira, imazh të mirë, besim dhe zhvillim në bashkëpunim ndërkombëtar”, potencoi rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

UBT dhe KOSTT ka një kohë që bashkëpunojnë në funksion të zhvillimit të Sektorit të Energjisë në Kosovë dhe jo vetëm,  si një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet akademisë dhe industrisë.