UBT ua mundëson studimin në Morehead University 50 studentëve

01/04/2016

Një marrëveshje e rektorit, prof. dr. Edmond Hajrizi, me përfaqësues të universitetit amerikan, Morehead State University, krijon mundësi që në periudhën 5-vjeçare, 50 studentë të UBT-së të studiojnë në këtë universitet.

 

Marrëveshja përfshin periudhën 2016-2021, me mundësi vazhdimi. Ajo parasheh që për çdo vit në këtë universitet amerikan të studiojnë 10 studentë.

 

Për studentët e UBT-së, që i  vazhdojnë studimet për një vit akademik ose për një semestër në Morehead University, do të ndahet një bursë prej 4000 dollarësh.

 

Edhe studentët e Morehead University do të kenë mundësi që një pjesë të studimeve t’i bëjnë në UBT.

 

Marrëveshja parasheh edhe rastet kur studentët e UBT-së duan që një cikël të studimeve ta përfundojnë në Morehead University. Atyre u jepet përparësi në regjistrim.

 

Pos shkëmbimit të studentëve, marrëveshja parasheh edhe zhvillim të përbashkët të shkollave verore, vizita të ndërsjella, me qëllim të zhvillimit akademik dhe profesional të stafit e të studenteve të institucioneve gjegjëse, si dhe dizajnimin e kurrikulave dhe programeve të reja të studimeve.

 

 

Do theksuar se UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë, i cili çdo vit pranon studentë ndërkombëtarë, të cilëve u ofron studime të plota në gjuhën angleze.