UBT u uron suksese maturantëve në Testin e Maturës Shtetërore 2026

19/06/2026

Në prag të mbajtjes së Testit të Maturës Shtetërore 2026, i cili zhvillohet nesër, UBT u uron suksese të gjithë maturantëve të Kosovës, duke shprehur besimin se puna, përkushtimi dhe angazhimi i tyre gjatë viteve të shkollimit do të reflektohen në rezultate të shkëlqyera.

Në mbështetje të maturantëve në këtë etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre akademik, UBT ka përmbyllur me sukses Programin Përgatitor për Maturën Shtetërore 2026, i organizuar në qendrat e UBT-së në Prishtinë, Ferizaj, Pejë dhe Prizren.

Gjatë këtij programi, maturantët patën mundësinë të ndjekin ligjërata dhe ushtrime intensive në lëndët kryesore të testit, përfshirë Gjuhën Shqipe dhe Matematikën, si dhe në një sërë lëndësh zgjedhore, të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushave përkatëse.

Programi u fokusua në përsëritjen e njohurive kyçe, zgjidhjen e testeve model, ushtrime praktike dhe orientimin e maturantëve mbi strukturën dhe kërkesat e testit, duke i ndihmuar ata të hyjnë në provim me më shumë siguri dhe vetëbesim.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e kësaj faze për të rinjtë dhe uroi që përgatitja e tyre të shpërblehet me sukses.

“Testi i Maturës Shtetërore përfaqëson një moment të rëndësishëm në jetën e çdo maturanti dhe një hap drejt sfidave të reja akademike e profesionale. UBT ka qenë pranë tyre gjatë kësaj periudhe përgatitore dhe besojmë se përkushtimi i treguar do të reflektohet në rezultate pozitive. Urojmë që të gjithë maturantët të kenë sukses dhe të vazhdojnë rrugën drejt realizimit të ëndrrave dhe objektivave të tyre”, tha rektori Hajrizi.

UBT falënderon të gjithë maturantët që iu bashkuan Programit Përgatitor dhe mbetet i përkushtuar në mbështetjen e të rinjve përmes iniciativave edukative që kontribuojnë në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.