UBT u mundëson studentëve të Infermierisë të ndjekin praktikën profesionale në spitalet rajonale të Kosovës

24/12/2018

Me qëllim të aftësimit dhe përfitimit të njohurive për kujdesin shëndetësor ndaj individëve ose familjeve, UBT u ka mundësuar studentëve të Fakultetit të Infermierisë që të ndjekin praktikën profesionale në mjedise mjekësore në të gjitha komunat e Kosovës.

 

Kjo është mundësuar falë marrëveshjeve të bashkëpunimit që ka të nënshkruar institucioni, me ç’rast tash e disa javë studentët të ndarë në disa grupe po vijojnë praktikën në spitalet rajonale të vendit, QKMF-të dhe Qendrat për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim.

 

Ata po përfitojnë njohuri klinike, njëherësh edhe përvoja profesionale nga stafi mjekësor i institucioneve shëndetësore.

 

Duke qenë kështu, drejtori i Fakulteteve Mjekësore në UBT, prof.dr Fitim Alidema potencoi se këto marrëveshje po sjellin rezultatet e pritura, pasi sipas tij, studentët po i zhvillojnë aftësitë teorike dhe praktike.

 

Tutje, ai tha se kuadrot që do të dalin nga UBT po përgatiten profesionalisht dhe kjo po u krijon atyre mundësinë ideale edhe për punësim.

 

“UBT edhe në vitin 2019 do të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi me qendra tjera në Kosovë, në mënyrë që gjithë studentët e programit të Infermierisë të përfitojnë njohuritë klinike dhe mjekësore. Studentët kanë në dispozicion të gjitha repartet e spitaleve për ta praktikuar profesionin e tyre gjithnjë në kushte profesionale”, bëri të ditur ai.

 

Drejtori Alidema tha se UBT numëron qindra studentë në këtë program, kjo si rezultat i dëshirës së madhe për t’i shërbyer profesionalisht sistemit të shëndetësisë dhe për të bërë ndryshime që ndikojnë në cilësinë e kujdesit shëndetësor.

 

UBT ka të krijuar edhe qendrën e inovacionit për mjekësi me infrastrukturë të sofistikuar, njëherësh ka edhe laboratorë të shumtë për fushat e shëndetësisë që përdoren gjithnjë për ndërlidhjen e teorisë në praktikë.