UBT suksesshëm përmbyll vitin 2019

30/12/2019

UBT gjatë vitit 2019 mundësoi që emri i shtetit të Kosovës të ngritët në nivelet më të larta të edukimit, shkencës inovacionit dhe ekselencës, u certifikua dhe vlerësua me Çmimin e Ekselencës me Pesë Yje, institucioni hapi Qendrën e parë në Ballkan për Realitet Virtual dhe së bashku me EON Reality po investojnë në Kosovë 30 milion euro, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me rreth 500 institucione dhe universitete botërore, po ashtu, ndikoi në zvogëlimin e papunësisë përmes punësimit të studentëve dhe ish-studentëve të vet, dhe shumë suksese tjera.

 

Këto të arritura, UBT i përmbylli me një ndejë madhështore, ku për t’i nderuar gjithë stafin e institucionit që ishin pjesë e sukseseve përgjatë vitit 2019, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi falënderoi gjithë ata që ndikuan në rritjen e institucionit.

 

“Së bashku me ju staf dhe studentë të nderuar, prej kur UBT ka nisur veprimtarinë në Kosovë, institucioni ka bërë një kthesë në historinë e arsimit në Kosovë, duke u bërë institucioni privat me më së shumti programe studimi dhe specializime të akredituara në vend. Listës së programeve dhe specializimeve të shumta në këtë vit iu shtuan edhe 12 programe të reja studimi. Presim edhe shumë të tjera në vitin 2020. Edhe sivjet bashkërisht arritëm që të sjellim inovacionet e fundit, dhe të ndikojmë në rritjen e cilësisë në studime dhe pjesëmarrjen në gara botërore”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Tutje, Hajrizi tha se falë punës së palodhshme, UBT është i vetmi institucion që ka parkun më të madh shkencor dhe teknologjik. Po ashtu, ai prezantoi edhe strategjinë e punës deri në vitin 2025, ku tha se UBT synon të krijojë Qytetin Inovativ dhe të Mençur që do të luan rolin e qendrës së dijes.

 

Gjatë ndejës së fundvitit, u prezantua edhe dokumentari i shkurtër i përgatitur nga stafi i zyrës së Media Group të UBT-së, në të cilin u paraqiten fakte dhe shifra për institucionin, njëherësh edhe sukseset dhe sfidat gjatë vitit 2019.

 

Më pas, për kontributin e dhënë ndër vite, UBT nderoi me mirënjohje punëtorët që për dhjetë vite i qëndruan besnikë dhe kontribuuan për institucionin.

Sadije Kelmendi, Astrit Hyseni, Bertan Karahoda, Ermal Lubishtani, Ramadan Limani, Lulzim Beqiri, Besnik Skenderi, Kujtim Elezi, Skender Ramadani dhe Luljeta Balaj, ishin anëtarët e stafit që dhanë kontribut madhor përgjatë këtyre viteve.

 

Ndërkaq, UBT nderoi me mirënjohje edhe inxhinierët dhe profesorët, Feti Selmani, Hysen Ahmeti, Hazir Çadraku, Visar Krelani, Besian Sinani, Arber Mucaj, Arsim Rapuca dhe Egla Luca, që kontribuuan në vlerësimin e dëmeve pas tërmetit në Shqipëri.

Në fund, UBT ndau mirënjohje edhe studentët Gentiana Ajeti, Gentian Bibaj, Rrezarta Mziu, Blert Podvorica dhe Besnik Asllani, për pjesëmarrje vullnetare në aksionin humanitar “Studentët për Shqipërinë”.