UBT shënon Ditën Botërore të Veshkës

08/03/2018

Me qëllim të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë dhe rolin e veshkave, studentët e Fakultetit të Infermierisë në bashkëpunim me Grupin për Edukim dhe Promovim Shëndetësor në UBT, me anë të disa aktiviteteve, kanë shënuar Ditën Botërore të Veshkës në komunën e Prizrenit.

 

Ata kanë shpërndarë fletëpalosje me përmbajtje sensibilizimi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të veshkës, njëherësh kanë ofruar edhe shërbime falas për qytetarët, përfshirë matjen e sheqerit dhe matjen e tensionit në gjak.

 

Në këtë aktivitet ku përfituan qindra qytetarë të rastit mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukaj. Ai ka falënderuar studentët e UBT-së, të cilët dhanë udhëzime se si t’i mbrojmë veshkat dhe si të bëhet zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje, teksa inkurajoi studentët për vazhdimin e aktiviteteve të tilla.

 

Këtë vit dita botërore e veshkës korrespondon me ditën e gruas, me këtë rast, aktivitetet e organizuara nga UBT, në fokus kishin ruajtjen e shëndetit te femrat dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje të pashërueshme.

 

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta për numrin e të prekurve nga kjo sëmundje, megjithatë sipas statistikave botërore, në Kosovë mund të jenë të prekur rreth 200 mijë banorë që vuajnë nga kjo sëmundje. Derisa, nga sëmundja kronike e veshkave në mbarë botën përafërsisht janë të prekura mbi 190 milion gra, nga të cilat, 600 mijë prej tyre vdesin çdo vit.