UBT shënon Ditën Botërore të Shëndetit Oral

20/03/2018

Me qëllim të vetëdijesimit lidhur me rëndësinë dhe rolin e shëndetit oral, studentët e Fakultetit të Stomatologjisë në bashkëpunim me Grupin për Edukim dhe Promovim Shëndetësor në UBT, me anë të disa aktiviteteve simbolike, kanë shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Oral, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

 

Kjo ditë u shënua me moton “Buzëqeshi jetës” ku janë shpërndarë fletëpalosje me përmbajtje sensibilizimi dhe informimi për qytetarët lidhur me rëndësinë e vizitave të rregullta te dentisti.

 

Në këtë aktivitet përfituan shumë qytetarë të rastit përfshirë edhe fëmijë, të cilëve edhe u janë dhuruar brusha të dhëmbëve për higjienë të mirë të dhëmbëve dhe gojës.

 

Përveç këtyre aktiviteteve, UBT ka organizuar edhe një fushatë mediale për edukim të shëndetit oral, me ç’rast qindra fletëpalosje janë shpërndarë në tërë Kosovën në kuadër të gazetës Koha Ditore.

 

Dita Botërore e Shëndetit të Oral e vendosur nga Federata Dentare Botërore (FDI), organizohet çdo vit më datë 20 mars. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin, si dhe të tregojë rëndësinë e madhe që ka shëndeti oral në shëndetin e përgjithshëm dhe mirë qenien.