UBT shënon Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë me diskutim të thelluar për menaxhimin, shëndetin dhe mirëqenien në mjediset e punës

29/04/2025

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT organizoi një ngjarje të rëndësishme në kuadër të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, duke sjellë në vëmendje çështjet thelbësore që lidhen me sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien në vendin e punës.

Në këtë panel diskutimi morën pjesë personalitete të rëndësishme të institucionit: Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Visar Krelani, si dhe Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, Armend Ymeri.

Në fjalën e tij hyrëse, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e menaxhimit të organizatës si bazë për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të sigurisë. Ai foli për tre standardet kryesore që, sipas tij, janë jetike për funksionimin e çdo organizate moderne.

Do të doja të nisja duke thënë se është shumë e rëndësishme që organizatat të fokusohen në menaxhimin dhe organizimin e brendshëm. Standardi i parë është menaxhimi i organizatës, i cili ka ndikim në çdo gjë që bëjmë më mirë në jetë. I dyti është sistemi i menaxhimit të integruar, që përfshin sigurinë, shëndetin, mirëqenien. Dhe i treti lidhet me menaxhimin e përgjithshëm që ndikon në çdo proces pune. Sepse në fund të fundit, qëllimi është të kemi njerëz të shëndetshëm, të motivuar, pozitivë – pra një mirëqenie të plotë në vendin e punës”, tha ndër të tjera Rektori Hajrizi.

Gjatë panelit, Dekani Visar Krelani vuri theksin te rëndësia e zbatimit praktik të njohurive të sigurisë në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, duke përmendur se studentët e këtij fakulteti përgatiten jo vetëm për të ndërtuar objekte, por edhe për të ndërtuar mjedise të sigurta pune, ku respektohen standardet ndërkombëtare dhe ruhet jeta e çdo punonjësi.

Ndërkaq, Dekani i Inxhinierisë së Energjisë, Armend Ymeri, theksoi sfidat dhe mundësitë që sjellin teknologjitë e reja në aspektin e sigurisë teknike dhe industriale, duke shtuar se një sistem energjetik i mirëmenaxhuar nuk ka vetëm qëllime funksionale, por edhe mbron jetën dhe shëndetin e njerëzve që punojnë me të.

Në këtë kuadër, prezantoi edhe profesori Hazir Cadraku, ekspert në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të rrezikut në punë, i cili solli një perspektivë të gjerë dhe praktike mbi sfidat dhe zgjidhjet që lidhen me sigurinë në ambientet e punës. Ai theksoi se edukimi i brezave të rinj me qasje të reja dhe standarde ndërkombëtare është kyç për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të sigurisë.

Kjo ngjarje shërbeu jo vetëm si platformë për reflektim dhe ndarje përvojash ndërdisiplinore, por edhe si thirrje për angazhim më të madh të institucioneve, studentëve dhe profesionistëve për të forcuar kulturën e sigurisë në çdo hap të procesit të punës.

UBT konfirmon rolin e tij si promotor i arsimit cilësor, inovacionit dhe përgjegjësisë shoqërore, duke i paraprirë trendeve globale dhe duke vendosur në qendër të vëmendjes njeriun dhe mirëqenien e tij në çdo fushë të jetës profesionale.