Nga UBT në Suedi: Rrezarta Agushi ndërton një rrugëtim të suksesshëm akademik ndërkombëtar
18/06/2026Rrugëtimi akademik i Rrezarta Agushit nisi në UBT, aty ku ajo hodhi themelet e profesionit të saj në arkitekturë dhe zhvilloi njohuritë e para që do ta çonin drejt një karriere ndërkombëtare.
Gjatë studimeve në UBT, Rrezarta përfitoi njohuri teorike dhe praktike, si dhe aftësi profesionale që e ndihmuan të vazhdojë zhvillimin e saj akademik në institucione prestigjioze evropiane. Ky rrugëtim kulmoi së fundmi me përfundimin e studimeve master në drejtimin Architectural Lighting Design në KTH Royal Institute of Technology.
Për Rrezartën, përvoja e fituar në UBT ka qenë një element kyç në arritjen e objektivave të saj akademike dhe profesionale.
“Rrugëtimi im akademik filloi në UBT, ku hodha bazat e profesionit tim në arkitekturë. Gjatë studimeve fitova njohuritë dhe aftësitë që më ndihmuan të vazhdoj zhvillimin tim akademik në nivel ndërkombëtar”, shprehet ajo.
Sukseset e saj nuk ndalen vetëm te studimet. Në vazhdim të angazhimit profesional, Rrezarta do të fillojë një praktikë profesionale në Nordic Chamber of Commerce in Kosovo, përmes programit të Swedish Institute, duke zgjeruar më tej përvojën e saj në një mjedis profesional ndërkombëtar.
Ajo vlerëson se studentët duhet të përfitojnë maksimalisht nga mundësitë që universiteti u ofron dhe të jenë të gatshëm të sfidojnë veten për të arritur objektiva më të mëdha.
“Për studentët e rinj që do t’i bashkohen UBT-së do të thoja të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që i ofron universiteti dhe të mos kenë frikë ta sfidojnë veten. Shpesh, mundësitë që duken larg janë më afër sesa mendojmë. Me përkushtim dhe punë të vazhdueshme, rrugëtimi akademik dhe profesional mund të të çojë shumë përtej kufijve të vendit”, thekson ajo.