UBT shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kreativitetit dhe Inovacionit

21/04/2022

UBT në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kreativitetit dhe Inovacionit, ka mbajtur një debat së bashku me të rinj dhe studentë nga programe të ndryshme të studimit, të prirë nga rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.

 

Në këtë debat, nën frymën e entuziazmit rinor, studentët dhe rektori Hajrizi diskutuan shumë çështje që ndërlidhen me kreativitetin dhe inovacionin e që kanë një impakt të jashtëzakonshëm në shoqëri.

 

Industria kreative, konceptet e reja, nevojat e shoqërisë dhe komunikimi proaktiv, ishin disa prej temave të cilat rektori Hajrizi për së afërmi i diskutoi me studentët e UBT-së, duke marrë shembuj të ndryshëm nga e gjithë bota për kreativitetin dhe inovacionin si dy nocione që kanë një veprim shumë të rëndësishëm për shoqërinë.

 

Duke folur edhe për përvojat personale të tij, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se kjo ditë ka një rëndësi të veçantë dhe duhet trajtuar si e tillë, dhe se shoqëria gjithnjë ka nevojë për njerëz kreativ dhe inovativ.

 

“Dita Ndërkombëtare e Kreativitetit dhe Inovacionit për fokus kryesisht e ka industrinë kreative, të rinjtë, idetë dhe konceptet, dhe ky është një moment reflektimi për të kuptuar se pse gjithë këto gjëra janë të rëndësishme. Kjo është një ditë që vë në pah rëndësinë e njeriut, faktin që njeriu është kreativ, inovativ dhe që i bën idetë të mundshme dhe të realizueshme”, ka thënë rektori Hajrizi

 

Studentët e UBT-së, ndanë mendimet e tyre me rektorin Hajrizi, rreth rëndësisë së kësaj dite, duke u pajtuar kështu se në Kosovë mund të zhvillohet energjia pozitive për kreativitet dhe inovacion.

 

Dita Ndërkombëtare e Kreativitetit dhe Inovacionit e gjen UBT-në si institucioni më inovativ në vend, rajon dhe më gjerë, duke aplikuar teknologjitë më inovative dhe të fundit të kohës.

 

UBT për 20 vite me radhë ka qenë burim i kreativitetit, ideve të reja, si në shkencë ashtu edhe në teknologji, duke kontribuar jashtëzakonisht shumë në inovacionin në Kosovë, duke krijuar qendra të mëdha të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, me fokus në qendrën “UBT Smart City”, si dhe duke sjell teknologji inovative si rrjetin 5G e Realitetin Virtual dhe të Shtuar.