UBT qendër e debateve dhe komunikimit

04/10/2013

Prishtinë,  4  tetor  2013 –  Në ambientet e UBT-së, u mbajt  sot tryeza me temën: “Roli i medieve dhe shoqërisë civile në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit” organizuar nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Fakulteti i Medias dhe Komunikimit.  Pjesëmarrës në tryezë ishin përfaqësues të mediave të ndryshme në Kosovë dhe nga shoqëria civile.

 

 

Diskutimet u përqendruan në rolin e mediave në  mbulimin e procesit për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, rëndësisë së tyre, sfidave me të cilat përballen mediat në mbulimin e procesit zgjedhor dhe vecorive që sjell ky proces për politikën në Kosovë .

 

 

Presidenti i UBT-së, prof. dr.  Edmond Hajrizi tha se  UBT-ja  po shndërrohet si  qendër për zhvillimin e debateve të hapura dhe analizave të mirëfillta profesionale. “Kjo temë në shikim të parë duket e nënkuptueshme, por nëse hyhet në aspektin pak më të thellë analitik ka një kompleksitet shumë të madh. Ka atribute të ndryshme që lidhen rreth zgjedhjeve, rreth mënyrës së qasjes etj. Do të ishte shumë mirë sikur mediat të ofronin tek qytetarët insformacione për atë se kush çfarë ofron dhe pastaj u takon qytetarëve që të vendosin”, tha Hajrzi.  

 

 

Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike,  prof. dr.  Belul Beqaj tha se UBT-ja dhe këto fakultete janë tani më edhe një mundësi e re e komunikimit me median dhe shoqërinë civile. “Ndoshta për dikend duket jo logjike tema, por në fakt kjo është bërë sepse mediat kanë një funksion specifik në zhvillime të tilla”, tha Beqaj. Sipas tij, është shumë e vështirë në raportet aktuale të politikës ekzistuese të kesh gazetari profesionale dhe të mos jesh komercial dhe është gati e paimagjinueshme të jesh komercial dhe të bësh gazetari profesionale.   

 

 

Lorik Arifaj, ushtrues detyre i kryeredaktorit të Televizionit të Kosovës tha se këto zgjedhje janë të rëndësisë historike dhe transmetuesi publik i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbulimin e fushatës. Sipas tij, RTK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e fushatës në gjithë territorin e Kosovës. 

 

 

Ndërsa Bekim Kupina, nga Koha Ditore tha se më e veçantë për këtë fushatë është shtrirja e saj gjeografike se sa zgjedhjet mund të cilësohen historike. “Koha Ditore ka kapacitete për mbulimin e zgjedhjeve edhe në pjesën veriore të Kosovës” tha Kupina, duke theksuar si problem sidomos numrin e madh të subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje. Kupina, përveç tjerash vlerësoi se diskursi politik i garuesve në këto zgjedhje nuk ka ndryshuar krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore në Kosovë.

 

 

Gazetari Bashmir Xhemaj nga Shkolla Politike,   veçoi tri çështje që lidhen me rolin e mediave në këtë proces zgjedhor. Fillimisht nuk angazhohen ekspertë e fushave , së dyti aktiviteti po përqendrohet vetëm në  Prishtinë, dhe së treti do të duhej , sipas mendimit tim të mendohet edhe për mediat qe do të kishin pozicionimin e qartë karshi subjekteve politike. mediat gjithashtu sipas tij duhet të bëjnë edhe filtrimin e qeshjeve që kane te beje me fakte reale dhe premtime te pabazuara. 

 

 

Po ashtu gazetari Musa Sabedini, Theksoi problemet me të cilat përballen gazetarët që raportojnë nga qendrat tjera jashtë Prishtinës. Ai tha se mediat në nivel qendror nuk iu kushtojnë vëmendje dhe nuk i mbulojnë si duhet aktivitetet e kandidatëve nëpër komunat tjera, pavarësisht se bëhet fjalë për zgjedhje lokale. 

 

 

Kushtrim Sadiku   nga Klan Kosova tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për shkak të mbajtjes së tyre në gjithë territorin e Kosovës. Mirëpo, ai tha se për mediat në Prishtinë problem të veçantë paraqet qasja në veri të Kosovës. Duke vlerësuar rolin e madh të medias në procesin zgjedhor, dhe  veçoi shembullin e keqpërdorimeve në zgjedhjet e kaluara dhe ngritjen e këtij problem nga mediat, gjë që ka ndikuar në reagimin e instancave përkatëse dhe përmirësimin e gjendjes në këtë proces zgjedhor.   

 

 

Në debat, morën pjesë edhe shume diskutues tjerë, të cilët dhanë vlerësime të ndryshme  e për zgjedhjen e 3 nëntorit, por shpresojmë se kjo edhe shumë tema tjera do të trajtohen në mënyrë profesionale në të ardhmen meqë UBT-ja po shndërrohet në një qendër të debateve dhe komunikimit profesional.