UBT prezantohet në Slloveni

30/05/2017

Liri Kosovare Bllaca, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT ka marrë pjesë në takimin e Bordit Studentor për Programin Master të Shkencave Politike-Integrimit dhe Qeverisjes (PoSIG), në Slloveni, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e nëntë universiteteve partnere.

 

Me këtë rast, Bllaca ka prezantuar programin e Shkencave Politike në UBT, ku ndër tjerash ka treguar se programi fokusohet në integrim dhe në qeverisje. Sipas saj, programi në fjalë përgatit kuadro për tregun e punës, si dhe ndihmon në evropianizimin e Republikës së Kosovës.

 

Pjesë e këtij programi mund të bëhen të gjithë studentët të cilët kanë të përfunduar nivelin bachelor në Shkenca Politike. Derisa, studentët që nuk kanë marrë ende diplomën e nivelit bachelor, mund të aplikojnë dhe pranimi i tyre do të kushtëzohet me marrjen e diplomës deri në muajin gusht 2017.

 

Bordi i këtij programi është i përbërë nga përfaqësues të disa universiteteve, përfshirë UBT-në, Universitetin e Salzburgut, Universitetin e Lubjanës, të Sarajevës, të Shkupit, të Tiranës etj.


PoSIG ofron një program studimor që ndërthur përvojat më të mira të partnerëve nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, sipas standardeve evropiane të arsimit të lartë.