UBT pjesë mbështetëse e donacionit të “RoMed” për Spitalin e Prizrenit

16/01/2017

Spitali Rajonal i Prizrenit ka 30 shtretër më shumë, falë një donacioni nga Klinika gjermane “RoMed” nga qyteti Bad Aibling, afër Rosenheimit në Gjermani.

 

Drejtuesit e Spitalit të Prizrenit, që kanë pranuar donacionin, kanë falënderuar donatorin, spitalin RoMed dhe organizatorin e kësaj ndihme humanitare, humanistin dhe aktivistin e Shoqatës “Nëna Tereze” të Mynihut, Haqif Gashi, si dhe presidentin e UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili mori përsipër të gjitha shpenzimet e transportit.


Mjeku nga Kosova Haqif Gashi, i cili ka vite që është i angazhuar në këtë klinikë, është i njohur për aktivitete humanitare edhe në Afrikë, ku me grupe mjekësh vullnetarë kryejnë aktivitete humanitare në vendet e varfra.

 

Në Kosovë, humanisti Haqif Gashi ka ndihmuar edhe herë të tjera. Janë disa raste kur ai bashkë me shoqatën “Nëna Tereze” në Mynih, kanë organizuar mjekimin e fëmijëve nga Kosova në Gjermani, kur trajtimi i tyre ka qenë i pamundur në Kosovë.

 

Ndërkaq, në vitin 2013 ai kishte sjellë në QKUK 110 shtretër spitalorë dhe shumë aparate mjekësore si donacion. Gjithashtu, 10 shtretër si donacion kishin shkuar edhe për spitalin e Tepelenës në Shqipëri.

 

Vlera e donacionit për spitalin e Prizrenit kalon rreth 60 mijë euro. Donacion është mbështetur edhe nga drejtuesit e Spitali RoMed, Hr. Marburger dhe Dr. Pfeiffer.