UBT ngushëllon popullin shqiptar për vdekjen e atdhetarit Adem Demaçi

27/07/2018

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, në emër të stafit dhe studentëve të UBT-së, i shpreh ngushëllime familjes dhe mbarë popullit shqiptar për humbjen e atdhetarit të shquar, Adem Demaçi.

 

“Janë të rrallë njerëzit që vetëm prezenca e tyre është në gjendje ta bashkojë një vend e një popull të tërë. Një personalitet i tillë ishte atdhetari dhe humanisti i shquar shqiptar, Adem Demaçi, i cili tërë jetën e tij e ka vënë në funksion të arritjes së lirisë dhe idealeve të popullit shqiptar.

 

Demaçi do të mbetet përgjithmonë modeli dhe shembulli ynë më i mirë se me çfarë force duhet të duhet atdheu dhe se çfarë fuqie mund ta ketë një njeri i vetëm për ta bërë të ardhmen  e gjeneratave të reja më të mirë.

 

Ne jemi me fat që jetuam në epokën tënde dhe ne do të jemi po ata që do të punojmë për të vazhduar rrugën që e nise shumë dekada më parë.”, thuhet në telegramin  e ngushëllimit të rektorit Hajrizi.