UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Vitisë për hartimin e Hartës Zonale Komunale

14/04/2022

Pas projektit të parë të suksesshëm – hartimi i Planit Zhvillimor Komunal, UBT dhe Komuna e Vitisë kanë vendosur që bashkëpunimin ta shtrijnë edhe në projekte të tjera.

 

Projekti i dytë mes këtyre dy institucioneve ka të bëjë me hartimin e Hartës Zonale Komunale. Marrëveshja për këtë u nënshkrua të enjten në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së nga rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

 

Nënkryetari i Vitisë ka vlerësuar lartë të arriturat e UBT-së, duke e çmuar jashtëzakonisht shumë profesionalizimin e treguar nga ekspertët e këtij institucioni në projektin e parë të përbashkët.

 

Rektori Hajrizi në anën tjetër shprehu gatishmërinë e UBT-së për të ofruar ekspertizën dhe profesionistët më të mirë për komunat, për të ndihmuar ato në zhvillimin ekonomik lokal e rajonal, në digjitalizim e projekte të tjera në interes të qytetarëve.

 

UBT ka marrëveshje bashkëpunimi me disa komuna ku po implementon suksesshëm projektet konkrete që kanë të bëjnë me planifikimin strategjik dhe zhvillimin e qëndrueshëm, zhvillimin ekonomik lokal, digjitalizimin, përmirësimin e cilësisë në arsim, e fusha të tjera.