UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS

bool(false) 27/01/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi është pritur sot në takim nga kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS, Alpin Dogan, meqë rast së bashku kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve.

 

Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi studentëve të fushës së inxhinierisë së energjisë iu mundësohet të përfitojnë në rrafshin teorik dhe praktik përmes organizimeve të përbashkëta.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm, pasi që me këtë po synohet që studentëve t’iu lehtësohet zhvillimi i aftësive të tyre në fushën e energjisë.

 

“Kjo marrëveshje bashkëpunimi është e mirëseardhur për shumë arsye, marrë parasysh faktin se studentët do të përfitojnë në aspekte të ndryshme për sa i përket sektorit të energjisë”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Kryeshefi ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Dogan, ka shprehur mirënjohjen për institucionet vendore arsimore si UBT, të cilët po punojnë drejt nxjerrjes së kuadrove të reja në fushën e energjetikës.

 

“Ne si KEDS, çdoherë kemi qenë të gatshëm të përkrahim brezat e rinj në aftësimin e tyre drejt avancimit në fushën e energjetikës. Kur është fjala për ngritjen profesionale të tyre, e që pastaj përkthehet në kontribut në sektorin e energjisë, përgjigja jonë gjithmonë ka qenë pozitive, andaj me këtë marrëveshje, ne po shtyjmë tutje zotimet tona”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv, z. Alpin Dogan.

 

Përmes marrëveshjeve të tilla të bashkëpunimit, UBT po iu mundëson studentëve zhvillimin e mëtutjeshëm profesional, duke inkorporuar industrinë, në mënyrë që ata të përshtaten me kërkesat e tregut të punës.