UBT ndërton kampusin e ri arsimor dhe shkencor

06/08/2009

 

Në saje të bashkëpunimit me komunën e Lipjanit

 

Kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi kanë zyrtarizuar marrëveshjen për ndarjen e truallit për ndërtimin e kampusit të ri arsimor dhe shkencor të UBT-së, në hapësirën në afërsi të QMI-së

 

Prishtinë, 28 tetor 2009. – Në Kuvendin Komunal të Lipjanit sot u organizua ceremonia e nënshkrimit të kontratës midis Kuvendit Komunal të Lipjanit dhe të UBT për lokacion e ri, afër QMI-së, në të cilën do të ndërtohet kampusi i ri arsimor dhe shkencor i UBT-së.
Kontratën e nënshkruan rektori i UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi dhe kryetari i Kuvendit Komunal të Lipjanit, zotëri Shukri Buja.

“ Dr. Edmond Hajrizi është qytetar i komunës së Lipjanit, i cili na ka nderuar me investimin e tij në komunën tonë, me ndërtimin e objektit të UBT”, tha i pari komuës së Lipjanit, z.Buja. Ai më tej shtoi se komunën e Lipjanit e sheh si një qytetëz me perspektivë në të gjitha lëmitë dhe pos të tjerash edhe qytet institucional.
“Pretendimet e mia kanë qenë ta bëjë një qytet institucional dhe sot po arrihet me nënshkrimin e kontratës me UBT-nw”, tha z.Buja.

Ndërsa rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi ka falënderuar kryetarin Buja dhe komunën e Lipjanit për bashkëpunimin dhe mundësinë e ofruar UBT-së për zhvillimin dhe rritën e mëtejme të tij.
“Falënderoj kryetarin Buja për angazhimin, vizionin dhe mundësinë që i ka dhënë një instiucion të lartë arsimor siç është UBT, që të ketë një hapësirë shumë kualitative, një qendër në mes të bizneseve dhe industrisë, që nënkupton një qendër ndërkomëtare institucionale të arsimit të lartë dhe për transfer të teknologjisë, një qendër e cila do të krijojë mundësinë e edukimit dhe zhvillimit të bizneseve, teknologjisë por edhe prodhimtarisë”, tha dr.Hajrizi.

Ai tha se kjo ndërthurje do të gjenerojë punësim dhe do të krijojë mundësi të reja për ndërmarrjet e Lipjanit po edhe të tërë Kosovës, sepse për neve është me rëndësi
zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës.

“Ne do të fillojmë menjëhërë me ndërtimin. Do të jetë një investim shumë i madh. Kur flas për UBT-në, dua t’ju them se ai ka bashkëpunim me rreth 40 universitete, institucione ndërkomëtare amerikane dhe evropiane, si dhe shumë kompani, që do të lidhen me ne, me juve dhe mendoj se aty do të bëhet një zhvillim i mirëfilltë dhe aty do të bëhet një qendër rajonale dhe jo vetwm kosovare. Unë mendoj që kryetari na ka dhënë një mundësi shumë të mirë që projektin ta realizojmë”, theksoi dr.Hajrizi, duke shtuar se lokacioni i ndarë nga komuna e Lipjanit, në afërsi të QMI-së, është një lokacion shumë i mirë dhe se investimet në të do të kapin vlera shumë të mëdha, për ta bërë atë sa më funksional dhe në shërbim sa më të mirë të studentëve, profesorëve, ekspertëve dhe komunitetit.