UBT ndan çmimin më të lartë institucional për Rektorin e Trakya Üniversitesi, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu dhe bën hapjen e Teknoparkut Ndërkombëtar

30/04/2024

Në praninë e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektorit të Trakya Üniversitesi, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, Ambasadorit të Turqisë në Kosovë, Tunç Angılı, Ministrit për Zhvillim Rajonal në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, në Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, u mbajt ceremonia e nënshkrimit dhe hapjes së Teknoparkut më të madh në rajon “UBT & Trakya University International Technopark”, si dhe ceremonia e veçantë e ndarjes së çmimit më të lartë institucional “Leadership Excellence Award” për Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi në emër të UBT-së, falëndroi për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin, konsolidimin e vlerave, standardeve, si dhe lidershipin e treguar në promovimin dhe integrimin e universiteteve të Ballkanit.

“Kemi kënaqësinë që në një ceremoni të veçantë, në emër të UBT-së, të ndajmë çmimin më të lartë institucional për Rektorin e Universitetit Trakya, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në afirmimin, konsolidimin e vlerave, standardeve, si dhe lidershipin e treguar në promovimin dhe integrimin e universiteteve të Ballkanit”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Tabakoğlu falënderoi Rektorin Hajrizi për ndarjen e këtij çmimi, duke theksuar se, ndër të gjitha çmimet që ka marrë, ky çmim është më i rëndësishmi për të. Ai theksoi se, nga ky moment, Rektori Hajrizi është vëllai i tij, ndërsa UBT dhe Universiteti Trakya janë vëllazëruar.

“Falënderoi Rektorin Edmond Hajrizi për ndarjen e këtij çmimi. Kam marr shumë çmime, por ky çmim është më i rëndësishmi. Nga sot profesori Edmond është vëllai im. Njëkohësisht, UBT është vëllazëruar me Universitetin Trakya. Hapja e teknoparkut është njëlloj llotoje, sepse çdo minut mund të ndodh një çmim i madh. Sepse, kemi të rinjtë që mund të vijnë këtu dhe të japin ide dhe të realizojnë eksperimente të reja. Një ide e vlefshme nga ky vend mund të ndërrojë fatin e shtetit. Pas këtij çmimi e llogarisë edhe unë veten si një njeri i Kosovës. Rroftë gjatë vëllazëria mes Kosovës dhe Turqisë”, është shprehur Rektori Tabakoğlu.

Ambasadori Angılı shpreh mendimin se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Kosovës në fushën e teknologjisë dhe shkencës është një hap i rëndësishëm. Përfaqësuesit e institucioneve akademike dhe start-up-eve nga të dy vendet po thellojnë bashkëpunimin e tyre, duke krijuar një situatë të përfitimit për të gjithë.

“Ne jetojmë në një botë ku forcat ekonomike rajonale luajnë një rol po aq themelor sa forcat ekonomike globale në zinxhirët e furnizimit global. Kjo situatë parandalon që teknologjia të jetë vetëm në dorë të një grupi të vogël. Prandaj, është një hap jashtëzakonisht korrekt, që bashkëpunimit mes Turqisë dhe Kosovës t’i shtohet teknologjia dhe shkenca. Ndërsa, institucionet akademike, start-up-et e Turqisë dhe Kosovës thellojnë bashkëpunimin e tyre, kjo do të krijojë një rezultat “win-win” për të gjithë”, tha Ambasadori Angılı.

Ministri Damka nënvizoi se kjo marrëveshje sjell përfitime të shumta për të dy institucionet. Ai tha se përveç këmbimit të njohurive dhe përvojave akademike, ajo gjithashtu hap rrugën për zhvillimin e programeve të përbashkëta të punës dhe hulumtimit në fushat e inxhinierisë, teknologjisë informative, shkencës kompjuterike dhe të tjera.

“Kjo marrëveshje sjell përparësi të shumta për të dy institucionet. Përveç shkëmbimit të njohurive dhe përvojave akademike, ajo gjithashtu do të mundësojë zhvillimin e programeve të përbashkëta të punës dhe hulumtimit në fushat e inxhinierisë, teknologjisë informative, shkencës kompjuterike dhe shumë të tjera. Në Kosovë, hulumtimi dhe inovacioni po bëhen gjithnjë e më tërheqës. Investimet në teknoparqe po rriten, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për start-up-e, kompani të reja dhe kërkime shkencore. Në të njëjtën kohë, Turqia ka një histori të suksesshme në zhvillimin e teknoparqeve dhe mbështetjen e inovacionit dhe biznesit teknologjik. Shtimi i një teknoparku do të krijojë një mjedis inkurajues për inovacionin dhe zhvillimin e re teknologjik në Kosovë dhe në rajon”, potencoi Ministri Damka.