UBT me aktivitet shënoi Ditën e Librit

bool(false) 23/04/2022

Në bibliotekën më të madhe fizike dhe elektronike, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, UBT shënoi Ditën e Librit përmes një aktiviteti me studentët e Fakultetit të Psikologjisë.

 

Në këtë diskutim mes studentëve të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, u diskutua për rëndësinë e librit dhe rolin që vazhdon ta ketë ai në shoqërinë post-moderne.

 

Profesoresha e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Deniz Celcima, ka vlerësuar shumë faktin që UBT i ka dhënë një rëndësi të veçantë kësaj dite, duke krijuar një bibliotekë moderne dhe gjigante në vendin ku shkenca dhe dija gërshetohen në një rrugë të vetme.

 

“Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ka bërë të mundur që në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, të ndërtoj një krahë të fortë për librin dhe mbështetjen e studentëve, përmes krijimit të kësaj biblioteke mbresëlënëse. UBT i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme librit dhe për këtë qëllim këtu është krijuar një ekosistem për mbështetjen e librit në pozicionin e botuesit, duke pasur secili botues dhe krijues në dispozicion shtypshkronjën e UBT-së, printimin digjital e deri te përkrahja e autorësisë dhe menaxhimit të dijes”, ka thënë profesoresha Celcima.

 

Këtë ditë të veçantë e ka bërë edhe më me kuptim botimi i librit “Istio in Action”, i ish-studentit të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Rinor Maloku, në bashkautorësi me autorin Christian Posta, e i cili për të pranishmit foli për sfidat që ka hasur në publikimin e librit dhe për rëndësinë e tij në temën që ai e ka trajtuar.

 

Ky diskutim është përmbyllur me një akivitet nga ana e studentëve të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nga ku në ambientet e Bibliotekës së UBT-së, janë vendosur thënie nga autorët më të pëlqyer të tyre dhe nga librat më favorit.

 

Biblioteka e UBT-së ka bërë gërshetimin e librit dhe teknologjisë, duke u ofruar studentëve dhe lexuesve një vend unik, me hapësira të veçanta për lexim, për të studiuar dhe hulumtuar çështje të ndryshme të shkencës.

 

Biblioteka e UBT-së ofron një ambient të këndshëm për të lexuar, me më shumë se 250 mijë libra fizik dhe 52 mijë tituj në dispozicion. Ky ambient i veçantë i institucionit përmban tituj nga të gjitha drejtimet të cilat i ofron UBT, duke përfshirë këtu edhe enciklopedi dhe fjalorë të ndryshëm. Librat të cilat gjenden në bibliotekën universitare të UBT-së janë në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe në atë serbe.