UBT mban ligjëratë tematike për nder të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

14/12/2020

Fakulteti Juridik në UBT, ka mbajtur ligjëratën tematike me temën “Dhuna me bazë gjinore në Kosovë – nevoja për përmirësim i shërbimeve ndaj viktimave të dhunës në familje dhe ndikimi negativ i pandemisë COVID 19”, kështu duke shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

 

Në këtë aktivitet u shpalosën problematikat, dhuna në familje si një prej cenimeve të të drejtave të njeriut, mënyra e trajtimit të kësaj dukurie prej institucioneve publike dhe gjykatave, si dhe angazhimi i institucioneve akademike në këtë qëllim.

 

Zv. Avokatja e Popullit, Majlinda Lulaj, parashtroi faktorët dhe pritshmëritë prej instancave publike për luftën e dhunës në familje, gjersa dekanja e Fakultetit Juridik, Dr. Jorida Xhafa, potencoi rëndësinë e komunitetit akademik si shoqëri e dijes me qëllim të informimit, ndërgjegjësimit dhe luftës kundër dhunës në familje, teksa prezantoi edhe studimin e kryer prej profesorëve të fakultetit gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

 

Ish-kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatësi Nehat Idrizi, ka parashtruar të dhëna dhe fakte konkrete prej rasteve gjyqësore të shqyrtuara në gjykatë.

 

UBT bashkëpunoi me UNDP – Kosovë, për organizimin e këtij eventi, organizatë me të cilën ka organizuar edhe 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje.