UBT mbajti sesion informues për pjesëmarrje në Garën Shtetërore “MOS”

12/02/2019

Një numër i madh i të rinjve entuziastë që vijnë nga komuna të ndryshme të Kosovës, kanë marrë pjesë në sesionin informues të organizuar nga UBT, për t’i informuar ata për rregullat dhe mundësitë e pjesëmarrjes në Garën Shtetërore Microsoft Office Specialist “MOS”.

 

Më këtë rast, trajneri i certifikuar nga Microsoft (MC Project certificate official learning tree UK), prof. Besnik Skenderi, u ka treguar atyre që kjo garë u ofron atyre mundësinë për testimin e njohurive dhe shkathtësive në Exel, PowerPoint dhe Word, 2013 ose 2016.

 

Ai potencoi se për të qenë pjesë e garës duhet që kandidatët të jenë shtetas të Kosovës, kjo për arsye se fituesit në nivel shtetëror do të fitojnë mundësinë ta përfaqësojnë vendin në Garën Botërore “MOS”, që mbahet në SHBA.

 

Profesor Skenderi tha se përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në këtë garë botërore, përveç që do të certifikohen nga Microsoft, ata mund të fitojnë edhe shpërblime.

 

Sipas tij, vendi i parë shpërblehet me 7 mijë dollarë, vendi i dytë 3 mijë dollarë dhe vendi i tretë 1 mijë e 500 dollarë, teksa do të ketë edhe shpërblime të tjera dhe mundësi për punësim.

 

Sekretari i UBT-së, prof. Artan Tahiri ka thënë se si rezultat i punës së palodhshme, UBT edhe në gara tjera ka treguar rezultat të jashtëzakonshëm madje edhe në vendet që ende se kanë njohur Kosovën si shtet, siç është Azerbajxhani.

 

Ai beson që edhe në Garën Botërore të “MOS” në SHBA, Kosova do të përfaqësohet denjësisht dhe do të fitojë vendet e para.

 

Të drejtën e pjesëmarrjes në Garën Shtetërorë “MOS” e kanë të gjithë kandidatët e moshës 13 deri në 22 vjet, ndërkaq aplikimi është ende i hapur nga sot deri më datën 17 maj 2019.

 

Të interesuari mund të aplikojnë në linkun: www.ubt-uni.net dhe  http://kampionatimos.com

 

Për pyetje shtesë ju mund të shkruani në e-mailin: [email protected]