UBT mbajti diskutim për rolin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me përfaqësues të OKB-së

bool(false) 16/05/2022

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi mirëpriti në UBT, koordinatoren e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson dhe shefin e misionit të UNHCR, Erol Arduc, me të cilët zhvilloi një diskutim së bashku me studentët e Fakultetit Shkenca Politike në UBT.

 

Diskutimi u përqendrua në temën “Roli i Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, nga i cili studentët përfituan njohuri për historikun e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe rëndësinë e funksionimit të saj sidomos për çështjet sociale, ekonomike dhe politike.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi i njoftoi studentët e Fakultetit Shkenca Politike në UBT dhe përfaqësuesit e UNHCR, mbi procesin edukativo-arsimor të UBT-së dhe angazhimin e studentëve në procese zhvillimore në vend.

 

“Është i rëndësishëm kontributi i OKB-së si dhe angazhimi ndërkombëtar sa i përket proceseve edukativo-arsimore në Kosovë, por besojmë që duhet të ketë harmonizim dhe interaktivitet në mes institucioneve për krizat globale”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Koordinatorja e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se Kosova duhet të bëjë më shumë sa i përket sistemit edukativ dhe duhet të nxisë ndryshimet në këtë sistem.

 

“Kosova duhet të bëjë më shumë sa i përket ndryshimeve në sistemin edukativo-arsimor. Kosova popullohet në një përqindje të madhe prej të rinjve, kështu që duhet ta shfrytëzojë këtë potencial që shtetet e tjera nuk e kanë”, u shpreh Richardson.

 

Shefi i Misionit të UNHCR, Erol Arduc, gjithashtu potencoi rëndësinë e mbështetjes së misionit dhe idesë së Kombeve të Bashkuara, duke theksuar edhe nevojën e trajtimit të barabartë të refugjatëve.

 

“Dokumenti i themelimit të Kombeve të Bashkuara është ende valid. Kemi probleme të shumta sa i përket trajtimit të refugjatëve dhe kjo çështje duhet të ketë vëmendjen e secilit shtet. Por, na duhet mbështetja e gjithsecilit rreth idesë së funksionimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, potencoi Arduc.

 

Në këtë takim u fol edhe për përmbushjen e Sustainable Development Goals (SDG), si objektiva globale për të cilat janë zotuar njëzëri të gjitha shtetet anëtare të OKB-së në vitin 2015.

 

Në rangimin e Times Higher Education, UBT është vlerësuar për rezultate të larta në zbatimin e politikave të qëndrueshme në të cilat lidhen me industrinë, inovacionin dhe infrastrukturën (SDG 9), kontributin për paqen, drejtësinë dhe institucione të forta (SDG 16), mirëqënien shëndetësore dhe fizike (SDG 3), partneritetin shumë-dimensional për zhvillimin e qëndrueshëm (SDG 17) si edhe zhdukjen e varfërisë (SDG 1).