UBT konkretizon marrëveshjen me Universitetin Politeknik të Milanos

13/06/2017

Prodekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Visar Krelani vizitoi Universitetin Politeknik të Milanos, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vënë në jetë marrëveshjen ndërmjet këtyre dy institucioneve, të cilat pak kohë më parë zyrtarizuan një marrëveshje bashkëpunimi, të nënshkruar nga rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe drejtori i Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Milanos, prof. dr Alberto Gudagnini.


Në bazë të kësaj marrëveshjeje, UBT dhe Universiteti Politeknik i Milanos do ta zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të interesit dypalësh, përfshirë këtu edhe realizimin e projekteve të përbashkëta në Erasmus+, Horizon 2020, Marie Curie Actions etj., përmes të cilave do të mundësohet edhe shkëmbim i studentëve dhe stafit akademik ndërmjet këtyre dy institucioneve arsimore.

 

Për t’i konkretizuar këto qëllime, prodekani Krelani pati takime me drejtorin e Departamentit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, prof. dr Andrea Guadagnini, i cili njëherësh është koordinator i Doktoratit në fushën e Hidroteknikës, e që shprehu gatishmërinë për të pasur bashkëpunime të mëtutjeshme dhe studime të nivelit të Doktoraturës për studentët e UBT-së. Po ashtu, u morën edhe hapa konkretë për projektin Erasmus+, ku u pritën edhe nga dekani i këtij fakulteti, prof. dr. Barbara Betti, e cila si udhëheqëse e këtij fakulteti, e hapi rrugën për të gjitha bashkëpunimet, si dhe ofroi përkrahje për studentët e UBT-së, në mënyrë që të kenë mundësi të hulumtojnë dhe të vijojnë studimet në këtë universitet.

 

Gjatë kësaj vizite, Krelani u takua edhe me studentët e Kosovës, të cilët po studiojnë në nivelin master në Universitetin Politeknik të Milanos dhe që i kanë përfunduar studimet bachelor në UBT, nga të cilët u njoftua për mënyrën e studimit në këtë universitet dhe ndihmën që kanë pasur me përgatitjen në UBT.