UBT kërkon që universitetet e Kosovës të mos rangohen në Webometrics si pjesë e Serbisë

30/01/2020

Organizata spanjolle Webometrics sërish ka prezantuar, vlerësuar dhe ranguar universitetet publike dhe private të Kosovës nën ombrellën e Serbisë, gjë për të cilën UBT reagon dhe kërkon nga institucionet përkatëse të marrin hapa konkretë dhe seriozë lidhur me këtë çështje.

 

Rangimi i universiteteve publike dhe private të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet nga organizata të cilat fillimisht e njohin Kosovën si shtet, pasi që Webometric operon në Spanjë, shtet që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

 

“Kërkojmë që rangimi i universiteteve publike dhe private të realizohet në mënyrë profesionale, transparente dhe të bëhet nga organizata të besueshme, pra një proces i tillë duhet të bëhet konform standardeve botërore. Njëherësh, kërkojmë që autoritetet vendore të punojnë që institucionet arsimore të Kosovës të jenë pjesë e rangimeve botërore ”, thuhet në reagimin e UBT-së.

 

UBT është institucion që tash e gati 20 vjet ka punuar në krijimin e rreth 500 partneriteteve ndërkombëtare, gjithnjë duke u paraqitur si institucion që vepron në Kosovë, njëherësh ka përfaqësuar vendin në gara dhe konferenca në mbarë botën nën flamurin e Kosovës. Andaj,  kërkojmë që simbolet shtetërore të respektohen nga mekanizmat dhe asociacionet ndërkombëtare dhe që sistemi i arsimit të mos ngatërrohet me çështjet politike.