UBT-ja tërheq staf të ri akademik e profesional

30/03/2016

Serioziteti dhe përkushtimi ndaj aktiviteteve akademike, arsimore e edukative në UBT, ka ndikuar që gjatë vitit akademik 2015/16, në veçanti gjatë semestrit të fundit veror, këtij institucioni të lartë arsimor t’i bashkohen edhe disa personalitete të reja akademike e profesionale.


Këtë fakt e ka pohuar vetë rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, të mërkurën. Ai thotë se  një gjë e tillë ka qenë dhe mbetet strategji e UBT-së. 


Sipas tij, qëllimi është që krahas shtimit të numrit të studentëve në fakultetet ekzistuese, të shtohet edhe infrastruktura, stafi akademik e profesional dhe gjithçka që shkon në favor të studentëve.


“Tashmë kemi krijuar një cilësi të lartë akademike”, ka thënë Hajrizi, teksa për të pranuarit në stafin e ri akademik ka thënë se i kanë  mbaruar studimet në universitetet më prestigjioze të botës dhe se kanë përvojë të lartë profesionale.


Rektori ka treguar se pranimi i stafit të ri akademik do të vazhdojë tutje, sidomos në programet e reja në të cilat UBT ka aplikuar për akreditim.


Hajrizi vë në pah se me këtë po shtohet stabiliteti në kolegj, ndërsa nxjerr elemente të rëndësishme për institucionin që ai e drejton.


“Bashkëngjitja në rrugëtimin tonë akademik është një konfirmim se shoqëria kosovare po e pranon UBT-në si institucion serioz, që kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Është mesazh njohjeje e motivimi, që ne të punojmë edhe tutje në të gjitha rrafshet, sidomos në shkencat ekzakte,  si inxhinieri, shkenca të jetës, teknologji, shëndetësi etj”, është shprehur rektori Hajrizi.

 

Janë më shumë se 10 veta të cilët gjatë këtij viti akademik, kanë lënë dikasteret qeveritare dhe të tjera, për t’iu bashkuar aktiviteteve akademike: edukative, shkencore e kërkimore në UBT.