UBT-ja përuron edhe zgjerimin e programeve akademike në Prizren

21/10/2016

Një ditë pas ceremonisë në Ferizaj, për shkak të zgjerimit me programe të reja, UBT-ja, të premten, ka organizuar ceremoni edhe në Komunën e Prizrenit, ku po ashtu ka zgjerim dhe licencim të programeve akademike. 

Prizreni është qyteti i dytë në Kosovë sa i përket numrit të banorëve, menjëherë pas Prishtinës, kështu që nevoja për zgjerimin e UBT-së ka qenë pothuajse shumë domethënës, jo vetëm për qytetarët e Prizrenit, por edhe komunave të tjera përreth e më gjerë.


Në ceremoni, studentëve të rinj, stafit akademik dhe të ftuarve të tjerë, u është drejtuar me urim rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi. Ai u ka thënë atyre se zgjerimi i programave të UBT-së edhe në Prizren, pas disa qyteteve dhe komunave të tjera, është rezultat i punës së madhe dhe të palodhshme shkencore e akademike 15-vjeçare. Të pranishmit janë përgëzuar dhe uruar edhe nga Armend Muja – drejtor për Çështje Akademike në UBT; Vehbi Sofiu – koordinator i UBT-së në Prizren; Lulzim Beqiri – dekan i Fakultetit të Arkitekturës, Fitim Alidema – dekan i Infermierisë; Bertan Karahoda – ligjërues në Shkencat Kompjuterike në UBT etj. Licencimi me programe të reja i degës së UBT-së në Prizren është bërë i ditur të premten e javës së shkuar, nëpërmjet vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Në vendim thuhej se dega e UBT-së në Prizren është licencuar, pas procedurave të nevojshme administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi, në bazë të Raportit të Komisionit, i cili ka konstatuar se Kolegji UBT- dega në Prizren i plotëson kushtet dhe kriteret e parapara ligjore për zhvillimin dhe ofrimin e studimeve në arsimin e lartë.