UBT-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me SHKÇAK

27/01/2014

Prishtinë, 27 janar 2014- Me qëllim të zhvillimit të programeve të përbashkëta, shkëmbimin akademik dhe certifikime, në ambientet e UBT, të hënën është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërinstitucional në mes të UBT-së dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, (SHKÇAK). 

 

 

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në mes të këtyre dy institucioneve, Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hjarizi, i shoqëruar nga Drejtori i Financave, prof. Selman Berisha, së bashku me delegacionin e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, në përbërje të të cilit ishin, Kryetari i Këshillit të SHKÇAK, Fahri Breznica, Drejtoresha Ekzekutive, Ardiana Bunjaku dhe Edona Perjuci – Uka, Arbër Hoti, Art Navakazi, etj, para profesorëve dhe studentëve të UBT-së  prezantuan marrëveshjen e nënshkruar. 

 

 

“UBT dhe SHKÇAK pajtohen që të zhvillojnë programe bashkëpunimi, shkëmbimi akademik dhe certifikime, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e hapësirave që studentët e UBT-së të realizojnë Certifikimin Teknik të Kontabilitetit në SHKÇAK”, ka theksuar presidenti i UBT-së, Edmond Hajrizi.  

 

 

Ndërkaq delegacioni i SHKÇAK, para të pranishmëve është shprehur i kënaqur me të arriturat e UBT-së, me theks të veçantë programet e studimit nga fusha e ekonomisë, me teknologjinë më moderne, me infrastrukturën, me stafin akademik dhe me arritjet e studenteve. Bashkëpunimi ndërinstitucional në mes UBT dhe SHKÇAK, ka filluar më herët nëpërmjet realizimit të projekteve të ndryshme për shkëmbim të studentëve dhe stafit. 

 

 

Kryetari i Këshillit të SHKÇAK, Fahri Breznica, përveç tjerave të pranishmit i ka njoftuar edhe me objektivat zhvillimore dhe aktivitetet vepruese që ky institucion do t’i ketë në periudhën vijuese konform planit të tyre.