UBT-ja hap udhë për studime pasuniversitare në Evropë

12/05/2016

Dodona Blakaj, arkitektja e re, e cila i ka përfunduar studimet themelore në UBT, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, është pranuar për t’i vazhduar studimet pasuniversitare, Master, në universitetin “Politecnico di Milano”, më i madhi dhe më i vjetri në Itali, me rreth 40 mijë studentë.

Ajo ka treguar se ka fituar edhe bursë të studimeve për drejtimin “Architectural Design and History”. Blakaj i ka përfunduar studimet themelore në UBT, në korrik të vitit të kaluar. Përshtypjet e saj për UBT-në vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme.

“UBT-ja ofron mundësi të mëdha për ngritje profesionale, të krahasueshme me nivelin e universiteteve europiane”, ka thënë ajo dhe ka shtuar se pikërisht për shkak të nivlit të barabartë, studentët e UBT-së kanë mundësi të zgjedhin për studimet e mëtjeme. “Studentët i kanë rrugët e hapura për t’i vazhduar studimet në shumicën e universiteteve të mirënjohura evropiane e ndërkombëtare”, ka thënë ajo për UBT-në, duke folur fjalë të mira  edhe për menaxhmentin dhe për stafin akademik brenda. “Profesorët e UBT-së janë të një niveli të lartë akadamik. Ata sjellin standarde ndërkombëtare për zhvillimin e programeve të studimit dhe janë gjithmonë të gatshëm e transparentë, për të ndihmuar studentët për ngritje profesionale”, është shprehur ajo.

Po ashtu, i vlerëson lart edhe kushtet infrastrukturore në UBT. “Në UBT mund të studiohet dhe të punohet, pasi që është institucion i lartë i arsimit në Kosovë, që investon shumë, krejt me qëllim të rritjes së  cilësisë dhe inovacionit  në mësimdhënie”, ka përfunduar ajo.