UBT-ja e përkushtuar për të drejtat e pronësisë intelektuale

26/04/2016

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka thënë të martën në Konferencën kombëtare për Të Drejtat Pronësore Intelektuale, në Prishtinë, se UBT-ja është e përkushtuar në forcimin e ligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së të drejtave pronësore intelektuale. Këtë konstatim, rektori Hajrizi e ka nxjerrë në Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, teksa ka folur për arritjet e UBT-së prej themelimit, 15 vjet më parë, e deri në ditët e sotme. Ai ka prezantuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave me universitetet e njohura rajonale, evropiane e ndërkombëtare, për sukseset e studentëve të UBT-së etj.


Konferenca është organizuar nga Agjencia e Pronësisë Industriale, Zyra për të Drejtat e Autorit, Doganat e Kosovës dhe Policia e Kosovës, ndërsa kanë marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Kosovës, të Zyrës për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, të Inspektoratit të Tregut të Kosovës etj.

 

Konferenca për pronësinë intelektuale ishte përqendruar në sistemin e pronësisë intelektuale në Kosovë, për arritjet e institucioneve si dhe për sfidat e tyre.