UBT ia jep çmimin “Exellence Lidership Award” humanistes austriake, Marianne Graf

08/03/2016

Me një ceremoni të veçantë, sot, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, e ka nderuar me çmimin “Exellence Lidership Award” humanisten austriake, dr. Marianne Graff. Në hapje të cereminisë, rektori Hajrizi ka përmendur kontributin e madh të humanistes Graff, si lidershipe, dhënë tashmë tri dekada, në Kosovë, Shqipëri dhe gjithandej botës ku ka pasur nevojë. Nikiqiri ka thënë se humanistja Graff ka ndihmuar me ushqim e veshmbathje familjet skamnore në viset e thella malore në Shqipëri.


“Znj. Graff së bashku me bashkëshortin e saj, Wilhem Graff, janë themelues të shoqatës për partneritet Shqipëri-Austri, kurse në kuadër të këtij bashkëpunimi përfshiheshin aktivitete, si  zhvillimi i edukimit, përkujdesja shëndetësore, të drejtat e fëmijëve,  krijimi i urave ndërlidhëse midis fshatrave, projektet për ndihmë grave, projektet për forcimin e paqes, përkrahja dhe mbrojtja e minoriteteve, forcimi i dialogut ndërkulturor dhe ndërreligjioz, për ekologjinë, forcimin e ndërmarrjeve të vogla, me theks në zhvillimin e bujqësisë etj”, ka theksuar ai.


Ka treguar se Graff ka lënë gjurmë në mbi 100 projekte, si ndërtimi i shkollave, ambulancave shëndetësore, kopshteve të fëmijëve, banesave sociale, qendrave të edukimit, urave etj.  Rektori Hajrizi, gjithashtu ka bërë me dije se si rezultat i këtij bagazhi të madh me vepra humanitare, Marianne Graff, në Shqipëri, është nderuar me çmimin “Urdhri Nëna Terezë”, kurse në Kosovë ka fituar çmimin “Çmimi i Madh për Paqe dhe Humanizëm“, të cilën e ka ndarë bashkë me Kryeadministratorin e parë të Kosovës, Bernard Kouchner dhe Komandantin e parë të forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR), Gjeneralin – Mike Jackson.                                                                                                                                                                                              “Shqiptarët nuk do ta harrojnë asnjëherë kontributin dhe ndihmën tuaj,  para, gjatë  dhe pas luftës në Kosovë” , kanë qenë fjalët me të cilat  rektori i UBT-së, Hajrizi i është drejtuar humanistes Graf, para se ta ftonte atë për t’ia dhuruar çmimin “Exellence Lidership Award”.                                                                                                                                                                                                                                           Humanistja Graff, duke u ndjerë shumë e lumtur për pranimin e këtij çmimi ka thënë se ajo ka ndihmuar këtu, kur njerëzit janë përballur me problemet më të mëdha, kurse këtë çmim  e ka kuptuar si “dashuri të kthyer nga vetë populli”. Në vijim ajo ka treguar për ndihmat në Shqipëri, që ka filluar t’i shpërndajë para 24 vjetëve, si dhe për ato në Kosovë, para 18 vjetësh. Organizata e drejtuar nga ajo ishte e para që i kishte ndihmuar popullatës kosovare, para, gjatë dhe pas luftës. Ka thënë se ajo organizatë kishte ndihmuar edhe refugjatët e rikthyer në tokat e tyre, duke u ndarë paketa ushqimore e veshmbathje, duke ua rindërtuar shtëpitë, duke u bërë strehim të përkohshëm, duke u ndihmuar për hapjen e shkollave, të kopshteve të fëmijëve, për t’u ndihmuar fëmijëve të traumatizuar nga lufta, e kështu me radhë.

 

UBT organizon ceremoni vjetore për dhënien e çmimit “Exellence Lidership Award”, ndërsa ai u jepet personaliteteve të shquara, që kanë dhënë kontribut në sfera të ndryshme sociale.