UBT I MIRËPRET ME CEREMONI STUDENTËT E RINJ

10/10/2016

Fakultetet e UBT-së, nga sot kanë nisur pritjen ceremoniale të studentëve të regjistruar për herë të parë në këtë institucion të arsimit të lartë. Të hënën, pritje u është bërë qindra studentëve të regjistruar në fakultetet: Shkenca Kompjuterike, Sisteme të Informacionit, Arkitekturë, Inxhinieri e Ndërtimit e Infrastrukturë, Mekatronikë, si dhe Menaxhment dhe Inxhinieri e Energjisë. Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në të gjitha rastet, duke uruar studentët për mirëseardhje, u ka sqaruar atyre se në UBT janë regjistruar 20 mijë studentë; se sivjet numri është më i lartë për 30 për qind; se rritja e numrit të studentëve ndodh për çdo vit; se UBT-ja ka numrin më të madh të studentëve në Shkencat Kompjuterike dhe në Sistemet e Informacionit, aq sa të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë bashkë; se UBT ka lidhje të forta partneriteti me 250 universitete ndërkombëtare, në Evropë e Amerikë; se UBT ka kampusin më të fuqishëm inovativ në rajon etj. Ai u ka thënë studentëve se pret nga ta që nga UBT-ja të dalin me kompetencë. “Kemi punuar shumë që ju të mos e ndieni veten inferiorë karshi universiteteve më të mira evropiane e amerikane”, u ka thënë rektori Hajrizi studentëve të rinj, teksa ka shtuar se pos kushteve të përgjithshme, studentët e UBT-së e kanë stafin më të përzgjedhur akademik, vendës e ndërkombëtar. Secilit grup i studentëve, pos rektorit u janë drejtuar edhe dekanët e fakulteteve, profesorët e parë në UBT, studentët e dalluar etj.
***

Shkencat kompjuterike dhe Sistemet e Informacionit

Dekani i Sistemet e Informacionit, dr.Ylber Limani, u ka uruar mirëseardhje studentëve të rinj, për t’u thënë se pas 3 vjetësh, të njëjtët do të marrin përgjegjësi menaxhuese. “Drejtimet SHKI dhe SI janë dy dhoma të një shtëpie. Ju, jo vetëm që do të ushtroni një profesion të caktuar, por do të aftësoheni të merrni rol dhe përgjegjësi, do të jeni të aftë e produktiv për koston e jetës tuaj, për shoqërinë dhe për ekonominë e shtetit, që ka nevoj për ju”, ka thënë dr.Limani. Fatos Maxhuni, ndër mësimdhënësit e parë në UBT, u ka bërë me dije studentëve të SHKI-së dhe SI-së se janë në kohën kur fitojnë dituri dhe përvoja të reja. “Krijoni shoqëri, për t’ju zgjatur tërë jetën. Duhet ta shijoni dhe ta jetoni këtë kohë, në mënyrën më të mirë të mundshme”, u ka thënë Maxhuni studentëve. “Përcaktimi për të studiuar në UBT është një ndër vendimet më të mira që i keni marrë. Do të studioni në kushte dhe standard evropiane, me profesorë nga Kosova e Evropa, me laboratorë të nivelit më të lartë dhe staf të mirë akademik”, u ka thënë, ndërkaq, Vlorë Gjocaj, studentëve të SHKI-së dhe SI-së.
***

Arkitekturë

Dekani i fakultetit të Arkitekturës, dr. Lulzim Beqiri, u ka sqaruar studentëve të arkitekturës për kurrikulin e Arkitekturës. Sipas tij, në të përfshihet trajtimi i temave me rëndësi globale, si dhe tejkalimi i sfidave dhe problemeve me të cilat po përballet arkitektura moderne botërore. Studentëve të Arkitekturës u ka treguar fillimin e punës së UBT-së, prof..dr. Fatmir Krypa. “Stafi ynë është i përgatitur në mënyrë profesionale dhe pedagogjike, për të ndihmuar dhe motivuar studentët drejt niveleve më të larta të suksesit”, ka thënë ai. Studentët e rinj janë përshëndetur edhe nga studentja e dalluar e Arkitekturës, Natyra Poqesta.
***

Inxhinieri e Ndërtimit e Infrastrukturë, Mekatronikë, si dhe Menaxhment e Inxhinieri e Energjisë

Dekani I Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, dr.Muhamet Ahmeti, theksoi para studentëve se stafi i UBT-së do të jetë i përkushtuar për një edukim sa më cilësor. “Ne ju ofrojmë zhvillimin dhe sigurimin e cilësisë, zhvillimin dhe sigurimin e stafit profesional, funksionalizimin e infrastrukturës, krijimin e një ambienti motivues për punë dhe për student”, tha ai. Dr.Muzafer Shala, dakan i Mekatronikës dhe Energjisë Efiçinete u tah studentëve se kanë zgjedhur një universitet me orientim evropian e amerikan. “Janë mbi 400 profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë kaluar në UBT, por edhe stafi vendor zotëron profesionalizëm të shquar”, theksoi ai, për të shtuar se kjo është gjenerata e katërt që ka diplomuar sivjet nga mekatronika dhe pothuajse nuk ka studentë që ka diplomuar e të jetë i papunësuar”. Studenti i dalluar i Inxhinierisë Mekatronik dhe Menaxhment, Florian Piraj, po ashtu ka përgëzuar studentët për përzgjedhjen e këtij drejtim. Edhe studenti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Pëllumb Halili, ka përgëzuar studentët e rinj. “Fal UBT-së, ende pa i mbaruar studimet, ka arritur të punësohem në njërën nga ndërmarrjet më të mëdha të Kosovës”, ka përfunduar ai.
Studentëve u janë ofruar doracakë, kalendari akademik, orarin mësimor, orari i transportit dhe ndarja e tyre në grupe, në mënyrë të fillimit të mbarë të vitit të parë.