UBT hapi në Korçë qendrën më të madhe inovative dhe teknologjike në rajon

06/04/2021

Korça e mësonjëtores së parë shqipe u bë me qendrën më të madhe inovative dhe teknologjike në rajon. Bibliotekës që mban emrin e folkloristit të njohur korçar, “Thimi Mitko”, sot iu bë krah i fortë inovacioni dhe teknologjia.

 

“UBT – Korça Innovation & Technology Hub”, është një projekt i jashtëzakonshëm inovativ e teknologjik, i cili bën bashkë trashëgiminë e pasur kulturore dhe të ardhmen teknologjike. Kjo qendër, e para e këtij lloji në rajon, bën bashkë të kaluarën, përmes bibliotekës me fondin prej mbi 200,000 librash të ndryshëm dhe të ardhmen me mbi 90 projekte inovative e teknologjike të UBT-së.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, u shpreh në ceremoninë e hapjes së “UBT -Korça Innovation & Technology Hub” do të jetë model për inovacionin në biznes, teknologji e sipërmarrje për të gjithë të rinjtë e Korçës, si dhe do të jetë një ambient inovativ me teknologjinë më të avancuar të kohës.

 

“Në Korçën e mësonjëtores së parë shqipe, ne sot po nisim një rrugëtim tjetër po kaq të rëndësishëm në fushën e dijes. Brenda ambienteve të bukura e moderne të bibliotekës së Korçës po e bëjmë të mundur që trashëgimia jonë e pasur kulturore të bashkëjetojë me teknologjinë, me arritjet e saj kulminante. Po e bëjmë bashkë, nën një çati, të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Po e bashkojmë dijen me teknologjinë. Po i sjellim Korçës dhe Shqipërisë, përmes inaugurimit të këtij inkubatori të biznesit digjital, inovacionin si katalizator për rritjen e biznesit dhe ekonomisë. Po i sjellim hapin e fundit të teknologjisë për të qenë në trend me arritjet e fundit teknologjike, jo si spektarorë, por si pjesë e këtyre arritjeve”, u shpreh ai.

 

Në këtë projekt madhor, ai tha se UBT me ekspertët e angazhuar, do të ofrojë mbështetje akademike dhe do të ketë rol kyç në hartimin e trajnimeve profesionale në gjuhë të ndryshme programuese, për temat që lidhen me zhvillimin e projekteve në fushën e digjitalizimit, inovacionit, punësimit të të rinjve dhe çështje të tjera për zhvillimin e biznesit e teknologjisë.

 

“Përmes këtij Hub-i të madh të teknologjisë dhe inovacioni synojnë mundësinë unike për aftësimin, e mandej punësimin e të rinjve të Korçës, dhe në përgjithësi të të gjithë të rinjve me shpirt ndërmarrësi, nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi falënderoi Bashkinë e Korçës dhe kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, për mbështetjen e pakursyer në realizimin e këtij projekti inovativ.

 

Nga ana e tij, kryetari Filo, tha se është i lumtur që tani Korça do të jetë qendër e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Ai shtoi se kjo është një rrugë e gjatë, që kërkon vullnet dhe punë të pa ndalur në mënyrë që t’i ofrohet të rinjve të Korçës e ardhmja në teknologji, informacion dhe sipërmarrje.

 

“Bashkë me UBT ne e kemi sjell të ardhmen teknologjike në qytetin e Korçës por tani topi është në fushën e të rinjve e të rejave të qytetit për t’u angazhuar me shërbimet dhe mundësitë që ofron kjo qendër”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

 

Në hapje të saj, Korça Innovation & Technology Hub, u vizitua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i uroi i pari mirëseardhje roboti Nao me fjalët: Mirësevjen kryeministër Rama.

 

Kryeminsitri Rama u njoftua nga rektori i UBT-së me gamën e gjerë të projekteve inovative të “UBT -Korça Innovation & Technology Hub”, përmes të cilave synohet gjenerimi i vendeve të reja të punës dhe edukimi i inovatorëve të rinj, sipërmarrësve, drejtuesve të ardhshëm të ndryshimeve shoqërore në Shqipëri e më gjerë.

 

Kryeministri Rama tha se krijimi i qendrave të tilla do të jetë prioritet në Shqipëri.

 

“Në bibliotekën e re ultramoderne të Korçës, po merr jetë edhe qendra e re e mësimeve të teknologjisë së lartë, për t’i futur të rinjtë në rrugën e punësimit në tregun global online, ku pa qenë aspak të detyruar të lëvizin nga vendlindja ata mund të krijojnë të ardhura të larta”, u shpreh ai.

 

Ky është edhe synimi i UBT -Korça Innovation & Technology Hub.