UBT hap zyrtarisht Akademinë Ndërkombëtare Verore

19/07/2018

Në prani të shumë mysafirëve, përfaqësuesve të biznesit, profesorëve e studentëve vendas e ndërkombëtarë, UBT ka hapur edhe zyrtarisht edicionin e shtatë të Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV).

Hapjen zyrtare e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku ka vlerësuar lartë Akademinë e sivjetme, pasi sipas tij, do të marrin pjesë qindra studentë dhe shumë profesorë vendorë e ndërkombëtarë.

Rektori Hajrizi bëri të ditur se në këtë edicion interesim për pjesëmarrje ka pasur edhe nga shtetet e rajonit dhe më gjerë.
I pranishëm në hapjen solemne të ANV-së ishte edhe profesori ndërkombëtar, Peter Grumpos, i cili tha se në kuadër të kësaj Akademie, UBT organizon ligjërata dhe ‘workshope’, ku sipas tij, aktivitetet kanë dimensione të larmishme.

Në organizimin e Akademisë këtë vit, sikurse edhe viteve të kaluara UBT-në e kanë mbështetur edhe partnerë të shumtë, në emër të së cilëve foli Sami Makolli, njëherësh profesor në UBT, ku potencoi se studentët kanë mundësinë të fitojnë një përvojë të paharruar dhe të përfitojnë njohuri të reja.

Mësim e ligjërata nga ekspertët dhe profesorët më të mirë nga e mbarë bota, gara, punëtori, simulime, projekte dhe shumë aktivitete rekreative, do ta përbëjnë e pasurojnë ANV-në e këtij viti Krijimi i miqësive dhe partneriteteve me të rinj nga Kosova dhe më gjerë, për të shkëmbyer përvoja e ide dhe për të bashkërenduar mendime.

Akademia Ndërkombëtare Verore do të zgjasë deri më 25 korrik, në kuadër të së cilës organizohen aktivitete në 23 fusha të larmishme studimi.