UBT hap thirrje për studentët e Juridikut dhe Shkencave Politike, për pjesëmarrje në “Willem C.Vis International Commercial Arbitration Moot Court 2018”, në Austri (Dokument)

25/08/2017

Fakulteti Juridik i UBT-së hap thirrje për aplikim për studentët e po këtij fakulteti, si dhe për ata të Fakultetit të Shkencave Politike, për t’u bërë pjesë e ekipit që do ta përfaqësojë UBT-në në ngjarjen më të madhe botërore për arbitrazh në fushën e drejtësisë, “Willem C.Vis International Commercial Arbitration Moot Court 2018”, e cila do të mbahet në Vjenë të Austrisë, në pranverën e vitit të ardhshëm, organizim ky që mbledh studentë nga mbi 500 universitete të ndryshme të botës.


Nën mbikëqyrjen e pedagogëve të UBT-së, studentët e përzgjedhur do t’i bashkohen një programi intensiv përgatitor, duke filluar nga tetori deri në mars, i cili është projektuar për t’ua dhënë studentëve pjesëmarrës mundësinë e përgatitjes dhe diskutimit të rasteve, si dhe pyetjeve që ndërlidhen me ligjin dhe faktet.


 “Willem C.Vis International Commercial Arbitration Moot Court 2018”, u jep studentëve mundësinë për të rritur aftësitë në argumentim, përfaqësim ligjor dhe jurisprudencë, përmes hulumtimit dhe shkrimit të një memorandumi të shkurtër, si dhe përmes angazhimit në dhënien e argumenteve gojore.


Studentët e interesuar pritet të kenë njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës angleze, në të shkruar, në prezantim me gojë dhe të jenë të aftë për kryerjen e aktiviteteve kërkimore dhe analizave ligjore. Ndërsa, më e rëndësishmja është që ata të jenë të aftë për të mësuar, në mënyrë që ta fitojnë një përvojë unike.


Studentët e interesuar duhet të dorëzojnë CV-në e tyre dhe një letër motivuese, e cila i shpjegon pritshmëritë e tyre për programin, si dhe qëllimet profesionale që dëshirojnë t’i arrijnë në të ardhmen.


Dokumentet në fjalë duhet të dërgohen më së largu deri më 1 shtator 2017, në email-in: [email protected]